Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KDI e GLPS kritikojnë mungesën e transparencës në hartimin dhe miratimin e Projektligjit për Byronë

Instituti Demokratik i Kosovës

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e kanë dënuar trajtimin që i është bërë projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar procesin si shkelje të procedurave parlamentare.

Sipas KDI-së, organizimi i dëgjimit publik me urgjencë “nga sot për nesër” bie ndesh me rregullat për dëgjime legjislative dhe kufizon pjesëmarrjen e qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve në dhënien e kontributit për një ligj funksional dhe kushtetues.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Organizata thekson se Komisioni për Legjislacion ka përshpejtuar pa nevojë procedurat, duke marrë vendime pa debat të plotë dhe pa pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës. Vendimi për mbajtjen e dëgjimit publik brenda një afati më pak se 24 orësh, sipas KDI-së, është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

KDI i referohet nenit 38(7) të Rregullores, i cili parasheh që një dëgjim publik nuk duhet të mbahet pa kaluar të paktën pesë ditë nga caktimi i tij, për t’u dhënë kohë palëve të interesuara të përgatiten dhe të kontribuojnë në mënyrë përmbajtësore.

Po ashtu, KDI-ja kritikon qasjen e deputetëve të shumicës për anashkalimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile, duke e cilësuar këtë si një sinjal negativ për përfshirjen në proceset vendimmarrëse.

Sipas tyre, duke qenë se projektligji ka ndikim të drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit dhe prek të drejta kushtetuese, mënyra e zhvillimit të procesit është po aq e rëndësishme sa përmbajtja e tij.

Në fund, KDI-ja i bën thirrje Kuvendit dhe shumicës parlamentare që të respektojnë procedurat dhe të sigurojnë një proces të hapur, gjithëpërfshirës dhe transparent, që garanton pjesëmarrje reale të të gjitha palëve.

GLPS-ja ka thënë se procesi për Byronë është shoqëruar me mungesë transparence, pa konsultime të mirëfillta si nga Qeveria, ashtu edhe nga Kuvendi.

“Meqenëse është rregullim i ri dhe prek një nga të drejat themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë e që është e drejta në pronë, ky proces do duhej të zhvillohej me transparencë të plotë dhe pjesëmarrje të gjerë të publikut duke përfshirë edhe shoqërinë civile gjatë gjithë procesit të hartimit duke përfshirë edhe miratimin në Kuvend. Përkundrazi, i gjithë ky proces është karakterizuar nga mungesë e theksuar transparence, pa konsultime të mirëfillta publike nga Qeveria e tash më edhe nga Kuvendi, ku i vetmi dëgjim publik është organizuar në momente të fundit pa strukturë të qartë dhe pa mundësuar një shqyrtim kuptimplotë të draftit në aspektin kohor. Një qasje e tillë minon standardet minimale të konsultimit publik dhe bie ndesh me parimet themelore të transparencës, llogaridhënies dhe rregullimit të mirë”, thuhet në reagimin e tyre.

Dëgjimi publik për Byronë është caktuar për nesër. Më 18 prill, Kuvendi mbështeti në parim projektligjin për Byronë.