Në qytetin e Ferizajt gjatë dy vjetëve të fundit ka rënë numri i braktisjes së fëmijëve, ndërkohë janë rritur kërkesat për birësim të tyre nga qiftet që nuk kanë fëmijë.
Në Qendrën për Punë Sociale tashmë janë të regjistruara gjithsejtë katërmbëdhjetë familje të cilat kanë shprehur vullnetin e tyre për të birësuar fëmijë të braktisur.
Por në këtë qytet gjatë dy vjetëve të fundit janë regjistruar vetëm katër raste të braktisjeve, ndërkaq gjatë këtij viti është regjistruar vetëm një rast.
Deri më tash vetëm një familje ka arritur ta birësoi një fëmijë, ndërkohë të tjerët janë në pritje për shkak të procedurave të vlerësimit nga Qendra për Punë Sociale dhe për shkak të procedurave të tjera nga Gjykata dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas ligjeve në fuqi, për adaptimin e një fëmije mund të aplikojnë bashkëshortët të cilët kanë pajtueshmëri ndërmjet vete dhe së paku njëri të ketë moshën mbi 45 vjet.
Adelina Rexhepi - Braha, ushtruese e detyrës së drejtorit në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, njëherësh udhëheqëse e Shërbimeve Sociale ka thënë se shpeshherë procedurat për birësim zgjasin me muaj e me vite. Sipas saj përveç kësaj birësimi nuk mund të ndodh pa u zgjidhur statusi ligjor i fëmijës. Braha, ka bërë me dije se vendimi final për adaptimin e një fëmije është në kompetencë të gjykatës.
“Prindërit së pari bëjnë kërkesë në Gjykatë për birësim, ndërkohë Gjykata kërkon nga QPS-ja vlerësimin e familjes për adaptim, pastaj vazhdojnë procedurat tjera si marrja
e vërtetimit që nuk është nën hetime, që nuk iu ka marrë e drejta e veprimit, pastaj nga Policia që nuk ka të kaluar kriminale. Po ashtu merret mendimi i mjekut, nga psikologu, mendimi i përshtatshmërisë së qiftit dhe disa procedura të tjera”, ka thënë Braha.
Sipas saj, Qendra për Punë Sociale për secilën familje bën vlerësime në afat për tre muajsh, ndërkohë njoftohet departamenti i politikave sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. “Ka fëmijë që i ka 2 vjet e gjysmë e që ende nuk është birësuar për shkak që lëndët shkojnë në gjykatë dhe ato mund të vonohen. Ndërkaq ne si QPS edhe nëse vonohen këto procedura për çdo vjet e bëjmë rivlerësimin e secilës familje të cilat kanë parashtruar kërkesë për adaptim”, ka shtuar Braha.