Arbëri

Katër vullnetarë, të angazhuar në procesin e vaksinimit në Lipjan

Që nga 15 qershori, Qendrës së vaksinimit në Lipjan i janë bashkuar katër vullnetarë, me profile shëndetësore dhe profile tjera profesionale.

Angazhimi i tyre është bërë me qëllim të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët dhe stafin mjekësor, duke filluar me triazhimin e pacientëve, regjistrimin në sistemin elektronik dhe detyra të tjera.

“E bëjmë regjistrimin e pacientëve në sistem, e bëjmë regjistrimin në protokoll dhe gjithashtu e bëjmë asistimin nga ulëset, deri te kabinat në të cilat ata do të vaksinohen, por edhe shumë shërbime të tjera për të cilat ata kanë nevojë”, ka thënë Riona Llugiqi, vullnetare nga Kryqi i Kuqm dega në Lipjan.

“Jemi prej qershorit të këtij viti duke ndihmuar në shumë punë të ndryshme pasi që e kemi parë se gjendja ishte shumë e rëndë. Në fillim na kanë ftuar për t’i ndihmuar. Tash po shihet se është pak më qetë, por u apeloj të gjithë qytetarëve, të cilët nuk janë vaksinuar, të vijnë dhe të vaksinohen”, ka thënë një tjetër vullnetare, Ronita Bahtiri.

Puna e këtyre vullnetarëve vlerësohet lart nga përgjegjësi i Qendrës së vaksinimit.

“Përpos, normalisht, aktivizimit të sistemit shëndetësor në mënyrë masive, në këtë proces të vaksinimit kemi edhe akter të tjerë siç janë mediat, shoqëria civile por edhe Kryqi i Kuq na ka ndihmuar me vullnetarë në mënyrë aktive. Aktualisht, në Komunën e Lipjanit i kemi të angazhuar katër punëtorë nga Kryqi i Kuq, të cilët punojnë me orar të plotë dhe në mënyrë vullnetare pa ndonjë kompensim tjetër”, ka thënë Naim Avdija.

Në Komunën e Lipjanit deri tash janë administruar më shumë se 45 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit.