Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konfirmohet edhe viktima e tretë shqiptare në punishten në Austri

Vendi ku ndodhi rasti tragjik

Vendi ku ndodhi rasti tragjik në Vjenë

Përditësim (08:14) - Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar edhe viktimën e tretë nga aksidenti tragjik në një punishte në distriktin Alsergrund të martën.

Bëhet fjalë për Istref Zekajn.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ambasada ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe familjarët e viktimave për të ofruar mbështetjen e nevojshme për procedurat.

Më herët, Ambasada konfirmoi se në rast kanë humbur jetën edhe Pajtim Bajrami e Asllan Musliu.
Mbrëmë u raportua për katër shtetas të Kosovës që kanë humbur jetën kur një strukturë betoni u shemb dhe rrëzoi skelet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shtetasve kosovarë në Austri.

Në një postim në Facebook ka shkruar se lajmi për vdekjen e tyre ka qenë tronditës.

Duke u bazuar në informacionet zyrtare nga Ambasada e Kosovës në Austri, Kurti ka thënë se tre prej viktimave janë konfirmuar qytetarë të Republikës së Kosovës.

“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar ai.

 


Ambasada e Kosovës: Deri më tani është konfirmuar se dy nga viktimat në Vjenë janë shtetas të Kosovës

Përditësim - Amabsada e Kosovës në Austri ka njoftuar se deri më tash ka konfirmuar zyrtarisht se dy nga viktimat në aksidentin në kantierin e ndërtimit në Vjenë janë me shtetësi nga Kosova. 

Ambasada në postim në Facebook ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake. 

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri informon opinionin publik se sot, në Vjenë, ka ndodhur një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi, ku për pasojë kanë humbur jetën disa persona. Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja. Deri më tani, është konfirmuar zyrtarisht se dy nga viktimat janë shtetas të Republikës së Kosovës: Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi”, është shkruar në postimin e Ambasadës në Facebook. 

Në aksidentin e ndodhur pas orës 14:00 në Vjenë të martën humbën jetën katër persona, ndërsa një tjetër u lëndua rëndë, kur një strukturë betoni u shemb dhe rrëzoi skelet. 

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, në një postim në Facebook të martën ngushëlloi familjen Bajrami nga Klina e Poshtme si dhe shprehu ngushëllime edhe “për familjet e tre bashkëkombasve tjerë që humbën jetën në këtë tragjedi”. Po ashtu edhe nga një familjarë i njërit prej viktimave u tha në një postim në Facebook se në aksident humbën jetën katër shtetas të Kosovës. 
 


 

Katër shqiptarë nga Kosova dyshohet se vdiqën në një kantier ndërtimi në Vjenë

Katër shqiptarë nga Kosova dyshohet se kanë humbur jetën në një kantier ndërtimi në Vjenë, nga rrëzimi i skelave.  Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ngushëlluar familjet e viktimave.

Lushtaku në një postim në Facebook ka njoftuar se një nga të vdekurit është nga Klina e Poshtme, ndërsa ka ngushëlluar edhe familjet e tre bashkëkombasve tjerë që humbën jetën në tragjedi.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëkombasit tonë, Pajtim Bajrami nga Klina e Poshtme, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë. Kjo humbje e rëndë na prek të gjithëve duke lënë pas një boshllëk të madh në familje, shoqëri dhe te të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta i shpreh familjes Bajrami, si dhe familjeve të tre bashkëkombasve të tjerë që humbën jetën po në këtë tragjedi. Ndajmë dhimbjen me ju në këto momente të rënda!” – ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Për tragjedinë kanë njoftuar edhe familjarët.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës Pajtim Bajrami, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë me 3 shokët e tij nga Kosova”, ka shkruar Osman Bajrami në Facebook.

“Krone Zeitung” raporton se gjatë punimeve të betonimit në kuadër të ndërtimit në kulmin e një ndërtese, konstruksioni u shemb papritur dhe gjithë skela së bashku me konstruksionin ranë, pikërisht në momentin kur pesë punëtorët ndodheshin në skelë. 

“Punëtorët e ndërtimit, që ndodheshin mbi këtë konstruksion të sapo betonuar, kanë rënë bashkë me skelën”, shpjegoi zëdhënësi i zjarrfikësve Martin Hofbauer.

Mbi 100 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës luftuan nëpër një fushë rrënojash të rrezikshme. Pjesë të paqëndrueshme, pluhuri dhe betoni e vështirësuan shumë shpëtimin. Në disa raste, ndihmësit u detyruan të gërmonin me duar për të arritur tek të mbuluarit.

Një 45-vjeçar u nxor pas rreth 90 minutash me lëndime të rënda. Ai pësoi dëmtime në kokë, thyerje në krahë dhe dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Ai u dërgua në dhomën e urgjencës së një spitali. Për të tjerët, megjithatë, çdo ndihmë erdhi shumë vonë. Katër punëtorët vdiqën në vendin e aksidentit, ka konfirmuar Policia e Vjenës.  

Shoferi i  vinçit u bë dëshmitar i pavullnetshëm i aksidentit. Ai duhej të qëndronte në kabinën e tij dhe të ndiqte ngjarjet nga lart. Deri në mbrëmje ai u mor në pyetje nga policia.

KOHA ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadën e Kosovës në Austri për ta konfirmuar rastin. Deri tash nuk ka marrë përgjigje.