Çështjen e moscertifikimit të Listës Serbe zyrtarë nga Beogradi e kanë ngritur edhe në margjinat e takimit në nivel të ministrave në OSBE, në Vjenë. E dokumenti që u ishte përcjellë anëtarëve të KQZ-së lidhur me rekomandimin e subjekteve politike nuk përmban asnjë vërejtje për subjektet, përfshirë Listën Serbe. Veç certifikimit, KQZ-ja në bashkëpunim me institucione të ndryshme të shtetit, do të verifikojë përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, para së t’i certifikojë ata
Asnjë vërejtje që do të mund të përbënte pengesë për certifikim të Listës Serbe apo ndonjë partie tjetër, nuk është dhënë në dokumentin që Zyra për Certifikimin e subjekteve politike ua ka përcjellë anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Lista Serbe nuk u certifikua në mbledhjen e së martës, dhe kjo nxiti reagime të mëdha ndërkombëtare.
E, sipas rekomandimit të zyrës, subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend nuk obligohen të paguajnë taksën e certifikimit dhe të dorëzojnë listën me nënshkrimet e mbështetësve. Po ashtu në rekomandim theksohet se këto subjekte nuk kanë gjoba të papaguara të shqiptuara nga PZAP-ja dhe KQZ-ja.
Veç certifikimit të subjekteve, është edhe një filtër të cilit do t’i nënshtrohen kandidatët për deputetë, listat e të cilëve do të dorëzohen në KQZ më së largu të dielën në mesnatë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me institucione të ndryshme të shtetit, do të verifikojë përshtatshmërinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë, aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. “Me qëllim të zbatimit të këtij neni, KQZ u dërgon shkresë disa institucioneve për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët nuk mund të certifikohet si kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje”.
Sipas ligjit, një kandidat nuk mund të certifikohet nëse është dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Kjo e kaluar e kandidatëve do të verifikohet përmes Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Para verifikimit të kandidatëve, PZAP-ja pritet të nxjerrë vendim mbi ankesën e Listës Serbe për moscertifikim.
E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, moscertifikimin e subjektit që ka mbështetje nga Beogradi zyrtar e ngriti edhe në margjinat e Samitit të ministrave të OSBE-së në Vjenë, tek kërkoi mbështetje nga ky mision për, siç ka thënë, pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë.
“Për faktin se atyre u mohohet edhe e drejta e votës, së bashku me të gjitha të drejtat e tjera dhe Serbia është viktimë sot. Ne presim që OSBE-ja, misionet në Beograd dhe në Prishtinë, të mbështesin të drejtat e njeriut të të gjithëve, veçanërisht të serbëve në Kosovë sepse ata janë më të cenueshmit”, ka thënë Gjuriq.
Pas mocertfikimit të Listës Serbe reagime pati nga SHBA-ja, BE-ja e vendet e tjera të QUINT-it.
Dy anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ në mbledhjen e së martës votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme. Shtatë anëtarë abstenuan, ndërsa dy të tjerë, anëtarja serbe dhe kryesuesi Kreshnik Radoniqi, votuan për.
Njëjtë kishte ndodhur edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale të 12 tetorit. Asokohe, KQZ-ja s’e pati certifikuar Listën Serbe, por u urdhërua ta bënte një gjë të tillë nga PZAP-ja.