Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kamberi për dorëheqjen e Vuçeviqit: Lëvizjet e fundit në Beograd duhet parë me kujdes

Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, pas dy muajsh protestash të studentëve, duhet parë me kujdes.

Në një shkrim në Facebook, Kamberi ka thënë se dorëheqja e Vuçeviqit vjen në kohën kur Serbia po përballet me disa sfida.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“...nga disfata në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjska, mundësisë së përfshirjes në sulmin tjetër terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës, presionet e brendshme për reforma zgjedhore, deri te presionet ndërkombëtare në rritje ndaj politikës së jashtme të Vuçiqit të ekuilibrimit në katër karrige (BE, Washington, Moskë e Pekin)”, ka shkruar ai.

Kamberi ka ngritur pikëpyetjen se çka fshihet pas dorëheqjes, mbledhjes së jashtëzakonshme të presidentit Aleksandar Vuçiq me Qeverinë dhe dorëheqjen e kryetarit të Novi-Sadit.

Duke komentuar themelimin e “Lëvizjes për Shtetin” nga Vuçiqi, Kamberi ka thënë se është përpjekje e tij për t’u shpërlarë nga partia e tij SNS “në të njëjtën formë dhe model qysh ishte shpërlarë nga Partia Radikale serbe e Vojisllav Sheshelit, me premtimin se me ndërrimin e petkut do të ndryshojë edhe ideologjinë politike radikale të hegjemonisë serbe”.

“Doli se Vuçiq, si një radikal hegjemonist i përbetuar, me premtime boshe ndaj Perëndimit, vetëm se kishte blerë kohë vazhdimisht, për ta forcuar pushtetin e tij në Serbi, duke degraduar në skajshmëri lirinë e fjalës dhe shumë liri të tjera qytetare, sidomos duke shndërruar në normë dikriminimin e pakicave sidomos të shqiptarëve. Konfliktuoz me fqinjët, me pretendime hegjemoniste përmes “Botës serbe” ndaj shteteve përreth, Vuçiq është shndërruar në pengesën kryesore për paqen e qëndrueshme në Ballkan. Në të njëjtën kohë, “pastrime politike” shtojnë një tjetër dimension në këtë tablo të ngarkuar politike. Politizimi i institucioneve dhe zëvendësimi i punonjësve ekzistues me persona të lidhur me parti specifike janë shqetësime që prekin jo vetëm administratën shtetërore e lokale, por edhe gjithë sistemin e qeverisjes dhe sistemin gjyqësorë”, ka shkruar Kamberi.

Tek ka bërë thirrje që lëvizjet e fundit në Beograd të shihen me kujdes, ai ka thënë se edhe pse Vuçiqi po duket i dorëzuar ndaj kërkesave të protestuesve “me gjasë, po përgatit një skenarë të i për daljen nga kriza duke ‘flijuar’ kështu bashkëpunëtorët e vet të afërt”.

Deputeti ka thënë se në ditët në vijim do të vërtetohet nëse është “era e ndryshimeve” ajo që po fryn në Beograd apo taktikë e re e Vuçiqit për heqjen e presionit.

Tutje ai ka thënë se demokratizimi i Serbisë duhet të nisë me reforma në sistemin zgjedhor dhe atë të drejtësisë, me ballafaqimin me të kaluarën sikurse pranimin e krimeve të luftës dhe për liritë qytetare si dhe për të drejtat e pakicave.

Të martën, Vuçeviq dha dorëheqjen pas muajve të protestave nga studentët që po kërkojnë përgjegjësi nga shteti për vdekjen e 15 personave në Novi-Sad nga shembja e një çatie të stacionit hekurudhor në këtë qytet.