Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se kanë nisur t'i heqin masat ndaj Kosovës. Ajo në një konferencë në Prishtinë të enjten ka thënë se heqja është e kushtëzuar me shtensionimin në veri. Po ashtu, Kallas ka bërë thirrje për formim më të shpejtë të institucioneve duke përmendur këtu se kjo duhet të bëhet për të paraqitur agjendën e reformave dhe të përfitojë nga Plani i Rritjes. Kallas ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit është në fuqi dhe se palët duhet ta respektojnë.
Kallas ka thënë se heqja e masave po bëhet gradualisht. Ka thënë se veprimet e institucioneve të Kosovës në veri së fundmi, me mbylljen e zyrave paralele, nuk i shërbejnë shtensionimit.
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka nisur gradualisht t’i heqë masat të prezantuara në qershor 2023. Vendimi hap rrugën për mundësi të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe afron lidhjet me Evropën. Por është i kushtëzuar në ruajtjen e shtensionimit në veri. Mbyllja e strukturave të përkrahura nga Serbia minon përpjekjet drejt shtensionimit”, ka deklaruar ajo. “Duhet të kuptohet që nuk duam të shohim përshkallëzim në veri. Kam qenë vetë e angazhuar që t’i bind anëtarët e BE-së që t’i heqim masat, por thonë se Kosova duhet ta respektojë marrëveshjen e Ohrit dhe se përshkallëzimi në veri po vazhdon përkundër kësaj. Kjo është pengesa që kemi. Jemi të gatshëm të bëjmë hapat tonë, por vërtetë duhet të shohim shtensionim në veri”.
Sipas saj, nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim në bllok. Në konferencën për media të mbajtur gjatë qëndrimit në Kosovë, ajo ka thënë se Kosova i takon familjes evropiane.
“Kosova i përket familjes evropiane. Por s’ka rrugë të shkurtër për anëtarësim. Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme”, është shprehur ajo.
Kallas ka thënë se në Kosovë ka ardhur edhe për të dëgjuar për situatën e sigurisë.
“Prioritet kyç mbetet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Jeni partnerë të barabartë në tavolinë. Si përfaqësuese e lartë do të vazhdoj ta mbështes këtë proces. Ata që kanë dyshime në të le të jem e qartë: Normalizimi i raporteve është e vetmja rrugë për të ardhme më të sigurt dhe prosperuese për popujt e rajonit. Stabiliteti varet nga dialogu jo nga konfrontimi”, ka thënë ajo.
Teksa ka lavdëruar forcimin e institucioneve demokratike, Kallas ka thënë se Kosova ka ngecur me situatën aktuale politike dhe dialogun. Ajo ka thënë se për Kosovën është esenciale formimi sa më i shpejtë i institucioneve.
Sa i përket ndryshimet që mund të priten në dialog me Kallasin në krye të politikës së jashtme të BE-së, ajo ka thënë se gjëja e parë që kanë bërë me emisarin special ka qenë për të parë se çka shkon e çka nuk shkon në këtë proces.
Megjithatë, ajo ka përfunduar me fjalinë se Marrëveshja e Ohrit është në fuqi dhe se duhet të respektohet nga të dyja palët.