Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri për të dyja vendet, për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Kallas e cila të mërkurën ka nisur vizitën në Serbi, ndërkaq të enjten do të jetë në Kosovë e më pas do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se tani është koha për t’u riangazhuar në procesin e dialogut.
“Do të vizitoj Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dy ditët e ardhshme dhe do të angazhohem me qeveritë dhe shoqërinë civile në rrugën e tyre drejt BE-së. Dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri për të ecur përpara. Tani është koha për t'u riangazhuar”, ka shkruar Kallas në rrejtin social X.
Back in the Western Balkans.
I will be visiting Serbia, Kosovo and North Macedonia in the next two days and engage with governments and the civil society on their EU path.
The Belgrade-Pristina Dialogue is a must in moving forward. Now is the time to re-engage. pic.twitter.com/u6dphKMOEp
Të mërkurën shërbimi Evropian i veprimit të jashtëm (EEAS) ka lëshuar një komunikatë lidhur me vizitën që Kallas do t’i bëjë Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është kjo vizita e saj e parë në këto vende, prej kur para gjysmë viti kishte marrë përsipër postin e shefes së diplomacisë së BE-së.
Por, për vizitën në Kosovë nuk saktësohet në këtë komunikatë se me kë do të takohet, që dallon shumë nga njoftimet precize që jepen për vizitat në Beograd dhe në Shkup.
Përderisa për vizitat në Beograd dhe Shkup thuhet qartë se do t’i takojë presidentët, kryeministrat, ministrat e të tjerë, për vizitën në Kosovë vetëm thuhet se “do të takohet me përfaqësuesit e partive politike dhe organizatat e shoqërisë civile”.