Komuna e Kaçanikut me urgjencë ka marrë një varg masash shtesë pas rasteve të para të prekur me COVID-19.
Në fshatrat Runjevë dhe Dubravë janë vendosur tri patrulla të policisë për t’i mbajtur të izoluar dy lagje, ndërkohë Komuna ka identifikuar mbi 30 persona të tjerë të kontaktit me të infektuar. Po ashtu janë vetizoluar edhe 13 punonjës shëndetësorë të cilët kanë pasur kontakte me personat e infektuar, transmeton KOHA.
Kryetari i Komunës, Besim Ilazi, ka thënë se rastet e para janë të bartura nga Vitia dhe Ferizaj për shkak të kontakteve familjare.
Sipas Ilazit, Komuna e Kaçanikut do t’i përkrahë të gjitha familjet nevojtare me pako ushqimore dhe higjienike, ndërkohë edhe stafi mjekësor është duke qëndruar vazhdimisht në kontakt me të infektuarit.
Përfaqësuesi i fshatit Runjevë, Azem Berisha, ka thënë se në fshatin e tyre tashmë janë regjistruar katër raste me koronavirus, ndërkohë banorët janë mobilizuar për ta përkrahur me gjëra elementare familjen e izoluar.
Ndërkohë në Kaçanik, qytetarët kanë thënë se po i respektojnë të gjitha rekomandimet e nivelit qendror.
Kjo komunë ka nisur për herë të dytë të bëjë pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve, institucioneve dhe hapësirave publike, ndërkaq rëndësi më të veçantë do t’iu kushtohet edhe fshatrave me të prekura me koronavirus.