Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kabineti “Rama 2” pa drejtorë

Perparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk e ka paraqitur ende kabinetin e tij me të cilin do të qeverisë për katër vjetët e ardhshëm, pavarësisht se kanë kaluar mbi 100 ditë që nga rizgjedhja e tij. Bekim Salihu, drejtor i Institutit GAP, thotë se këto vonesa po reflektojnë në mospunë, përderisa hedh dyshime se e gjithë kjo po bëhet në pritje të ndonjë koalicioni të mundshëm mes LDK-së e VV-së në nivel qendror

Janë bërë 106 ditë qëkur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fituar mandatin e dytë në balotazhin e mbajtur më 9 nëntor, e 76 ditë që nga betimi i tij për mandatin e dytë, megjithatë Prishtina ende nuk e ka kabinetin e saj qeverisës. 

Pavarësisht se në seancën e jashtëzakonshme, ku edhe ka kaluar buxheti i Prishtinës, është reflektuar një afrim mes LDK-së dhe PDK-së, në kryeqytet shumë drejtori vazhdojnë të mos kenë drejtorë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bekim Salihu, nga Instituti GAP, ka thënë se është paradoksale pse kryetari Rama nuk po e paraqet ende kabinetin e tij qeverisës, pasi sipas tij, i ka numrat.

“Duket se numrat janë por pse nuk po vjen deri te emërimi i drejtorëve është interesante por edhe paradoksale për shkak se Përparim Rama do të duhet qysh në ditët e para të arritjes së koalicionit me partitë e tjera të bënte të ditur kabinetin e tij qeverisës dhe kjo do të mundësonte dhe krijonte hapësirë për punë. Arsyetimi se po e presim një qeveri gjithëpërfshirëse është qesharake. Ai mund të krijojë një qeverisje gjithëpërfshirëse në një periudhë të mëvonshme mirëpo në të njëjtën kohë mund të krijoj një qeverisje të tanishme”, ka thënë Salihu.

Salihu ka theksuar se vonesat mund të lidhen edhe me zhvillimet në nivelin qendror. 

“Arsyeja që mund të qëndroj prapa gjithë këtij misteri është se z.Rama mund të pres ndonjë koalicion të mundshëm në nivel qendror mes LDK e VV, ose të themi kushtimisht pazar për presidencën dhe pastaj të modifikojë edhe koalicionin në niveli lokal, ky është një supozim i imi”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se kryetari Rama është mirë që në një afat sa më të shkurtër të bëjë emërimin e drejtorëve të drejtorive, emërimin e aksionarëve e anëtarëve të bordeve, pasi kjo ndikon në mospunë në kryeqytet.

Për këtë çështje kritika të shumta ka edhe nga opozita.

Asamblistja nga radhët e Vetëvendosjes, Leonora Bajraktari, ka thënë se vonesat po bëhen pasi kryetari Rama e ka të pamundur t’ua plotësojë dëshirat të gjithë partnerëve të koalicionit. 

“Vonesat po vijnë se ka shumë pakënaqësi brenda partive dhe është e pamundur që kryetari Rama t’i plotësojë të gjitha dëshirat që i kanë në koalicion dhe nuk është që ka pak parti. Në koalicion e ka PDK-në, AAK-në, NISMA-n e Lidhjen për Prishtinën”, ka thënë Bajraktari.

Në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për këtë çështje thuhet se “deri më tash nuk ka asgjë zyrtare”.
E nga Komuna kanë njoftuar të hënën se për të premten është thirrur seancë.

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, kryetari Përparim Rama është betuar për mandatin e tij të dytë, përderisa po atë ditë është konstituuar edhe Kuvendi Komunal.