Ani pse nga Komuna e Suharekës ka shumë mërgimtarë në Itali, dhe disa prej tyre tashmë janë kthyer në Kosovë, në këtë komunë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me “Covid-19”.
Si masë parandaluese për përhapjen e këtij virusi, zyrtarë shëndetësorë dhe ata komunalë kanë filluar t’i identifikojnë të gjithë personat, të cilët kanë hyrë në Suharekë javëve të fundit, raporton KOHA.
Drejtori i QKMF-së në Suharekë, Salih Bytyçi, thotë se deri të hënën paradite kanë rënë në kontakt me 37 mërgimtarë, të cilëve u është rekomanduar të vetizolohen në shtëpitë e tyre.
Duke treguar se në objektin e kësaj qendre janë ndarë edhe disa dhoma në rast se paraqitet ndonjë person me koronavirus, Bytyçi ka thënë se për momentin janë të pajisur mjaftueshëm me mjete mbrojtëse.
Edhe pse në këtë qytet lëvizjet e qytetarëve ishin të shpeshta, përveç dyqaneve ushqimore dhe barnatoreve, pothuajse të gjitha bizneset tjera ishin të mbyllura.
E ndonëse vetëm pak metra larg ndodhet qyteti i Malishevës, i cili ka tri ditë që është në karantinë, pas konfirmimit të rasteve me “Covid-19” qytetarët e Suharekës i shohin si të tepruara masat e Qeverisë.
Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, duke kritikuar Qeverinë për mosbashkëpunim, ka thënë se si komunë kanë marrë të gjitha masat e duhura për parandalim të përhapjes së koronavirusit
Këtë të martë në këtë komunë janë dezinfektuar të gjithë rrugët e qytetit dhe të fshatrave që janë pjesë e Suharekës.