Në një kohë kur Ballkani Perëndimor përballet me tensione të theksuara politike dhe sfida në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, eurodeputetja Irena Joveva ka folur për rëndësinë e veprimeve konkrete nga politikanët dhe institucionet evropiane për të shfrytëzuar momentumin strategjik në funksion të zgjerimit të BE-së. Lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që është bërë në vitin 2022, e i cili deri tash nuk është shqyrtuar, Joveva theksoi se sfidat janë të qarta, por jo të pakapërcyeshme
Anëtarja e Parlamentit Evropian, Irena Joveva, e nderuar së fundi në Konferencën e Sigurisë në Beograd me çmim për kontributin e saj në promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon, ka thënë se gjuha polarizuese në Ballkan nuk kontribuon në përshpejtimin e proceseve integruese. Ajo shprehu shqetësimin për stabilitetin e rajonit, tek ka folur edhe për mundësitë që ky moment gjeopolitik u ofron proceseve të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“E shoh situatën në Ballkanin Perëndimor tani si një moment serioz për të shfrytëzuar impulsin e procesit të zgjerimit, për shkak të situatës gjeopolitike dhe fakti që zgjerimi është shumë, shumë lart në agjendë, më në fund, pas kaq shumë vitesh në Bashkimin Evropian. Dhe unë me të vërtetë i bëj thirrje shteteve anëtare të rajonit dhe vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor të shfrytëzojnë këtë moment dhe të jenë sa më pozitivë që të jetë e mundur, sepse besoj vërtet, veçanërisht për Malin e Zi dhe Shqipërinë, se ato janë si një dritë në fund të tunelit, gjithashtu për vendet e tjera kandidate”, ka thënë ajo.
Kur u pyet për aplikimin që në vitin 2022 Kosova e bëri për anëtarësim në BE, dhe për pengesat për mosshqyrtimin e tij, eurodeputetja sllovene theksoi se sfidat janë të qarta, por jo të pakapërcyeshme.
“Sa i përket Kosovës, dua të them se gjithmonë ka pengesa. E keni parë vetë. Shumë vende të tjera kandidate, për shembull Maqedonia e Veriut, kanë pritur për vite me radhë dhe kanë qenë një nga shembujt më të mirë në rajon, por tani nuk është më kështu. Natyrisht, gjithmonë ka pengesa, por kjo nuk do të thotë se ato nuk mund të zgjidhen. Prandaj, duhet t’u bëj thirrje edhe një herë udhëheqësve të të dy vendeve, por edhe Bashkimit Evropian, që të kryejnë detyrat e tyre”, ka thënë Joveva.
Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ajo ka theksuar se pavarësisht marrëveshjeve të arritura që nga viti 2013, implementimi i tyre mbetet i mangët. Po kështu, ka thënë se Bashkimi Evropian mund të rishikojë qasjen për ta bërë dialogun më produktiv, por theksoi gjithashtu përgjegjësinë e udhëheqësve vendorë.
Joveva gjithashtu përmendi tendencat nacionaliste që janë evidentuar në të gjithë rajonin, duke shprehur shqetësimin se përfshirja e urrejtjes dhe polarizimi politik janë kërcënim për stabilitetin e Ballkanit.
“Ka shumë nacionalizëm në të gjithë rajonin, në fakt, ashtu siç e shoh unë, në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, do të thosha se politikanët gjithashtu duhet të kryejnë detyrat e tyre dhe thjesht të ndalojnë me polarizimin dhe të ndalojnë me ushqimin e nacionalizmit, sepse kjo nuk do të na çojë diku. Unë i ndaj njerëzit në të mirë dhe të këqij. Dhe mendoj se politikanët duhet të bëjnë të njëjtën gjë dhe thjesht të ndalojnë me urrejtjen, sepse janë ata që duhet të jenë shembuj për të gjithë të tjerët, për njerëzit e zakonshëm ose publikun në përgjithësi. Pra, gjëja e parë që politikanët duhet të bëjnë është thjesht të ndalojnë me gjuhën e urrejtjes. Por nuk po flas konkretisht për protestat (e studentëve në Serbi v.j.), po flas në mënyrë të përgjithshme për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë eurodeputetja sllovene.
Mes shqetësimeve për tensionet dhe pengesave të vazhdueshme, Joveva theksoi se perspektiva e Kosovës drejt BE-së dhe stabiliteti në Ballkan janë të mundshme, nëse ka vullnet politik dhe bashkëpunim.