Në episodin e shtatëmbëdhjetë të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është dramaturgu Jeton Neziraj, me të cilin diskutohet për teatrin, shfaqjet në vende të ndryshme të botës e çështje të tjera.

Surroi tregon dy rreziqet më të mëdha që i kanosen Kosovës

3 o. më parë / 29 qer 2025 20:50
Veton Surroi

Në episodin e fundit të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi identifikoi dy nga sfidat më serioze që, sipas tij, i kanosen Kosovës në dekadën e ardhshme.

I pyetur nga dramaturgu Jeton Neziraj për rreziqet më të mëdha të brendshme, Surroi theksoi konfliktin e papërfunduar me Serbinë dhe mungesën e përgatitjes për transformimet teknologjike e kulturore.

“Rreziku i parë është që shoqëria jonë nuk e ka mbyllur konfliktin. Jo sepse ka kërcënim të drejtpërdrejtë fizik, por sepse konflikti është bërë pjesë e narracionit tonë kolektiv dhe po përcillet te gjeneratat e reja. Nuk ua kemi borxh të rinjve që edhe ata të jetojnë me Serbinë si temë të përditshme”, ka thënë ai.

Rreziku i dytë, sipas tij, ka të bëjë me mungesën e përgatitjes së Kosovës për të hyrë në një epokë të re teknologjike, ku inteligjenca artificiale dhe transformimet digjitale do të jenë përcaktuese.

“Kosova si shtet është produkt i një projekti mendor, por nuk di çka duhet bërë që të rinjtë tanë të përballen me transformimin teknologjik pa e humbur identitetin dhe kulturën”, u shpreh Surroi.

Ai ngriti shqetësimin se, në një vend ku 80% e nxënësve nuk e kuptojnë tekstin që lexojnë, ku mungojnë gazetat dhe autoritetet publike, dhe ku informacioni vjen i pafiltruar përmes rrjeteve sociale, është shumë e vështirë të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme.

“Kur gjithkush mund të kontestojë ekspertin, kur nuk ka burime të besueshme, dhe kur një status në Facebook zëvendëson librin apo gazetën, atëherë ne rrezikojmë të hyjmë në epokën e inteligjencës artificiale si shoqëri pa kompasa”, përfundoi Surroi.

Surroi: Monumentet në Prishtinë janë pa vizion

3 o. më parë / 29 qer 2025 20:48
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi, në një bisedë me dramaturgun Jeton Neziraj në podcastin PIKË, kritikoi mënyrën se si janë konceptuar dhe vendosur monumentet në Prishtinë, duke theksuar se shumica prej tyre janë të dobëta nga pikëpamja estetike dhe pa vizion të qartë publik.

“I vetmi monument me shprehje të plotë estetike në Prishtinë është ai për gratë përballë ‘Boro & Ramizit’ ”, ka thënë Surroi, ndërsa pjesën tjetër të peizazhit monumental e quajti produkt të një gare për dominim simbolik.

“Vendosja e monumenteve ka qenë një garë e rrëfimit për kontrollin e territorit. Domethënë momentin kur ti e vendos një monument, ti e kontrollon, pak a shumë, atë territor me rrëfimin tënd”, u shpreh ai.

Surroi kritikoi mungesën e një qasjeje vizionare për të nderuar luftën çlirimtare, duke thënë se nuk është ndërtuar një monument që përfaqëson luftëtarin apo luftëtaren e UÇK-së, si simbol kolektiv dhe jo individual.

“Në vend të tyre, kemi monumente të dobëta. Madje edhe ai i presidentit Clinton është një hajgarallëk”, ka deklaruar Surroi.

Neziraj numëron tri sfidat me të cilat përballet shoqëria në Kosovë

3 o. më parë / 29 qer 2025 20:20
Jeton Neziraj

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, dramaturgu Jeton Neziraj ka identifikuar tri sfidat kryesore me të cilat, sipas tij, përballet shoqëria në Kosovë sot.

E para, sipas Nezirajt, është konfrontimi me religjionin, ose më saktë me rritjen e sentimentit të fundamentalizmit religjioz dhe keqinterpretimin politik të fesë. Ai theksoi nevojën për dialog të hapur dhe të sinqertë me komunitetet fetare, për t’i përfshirë ato në mënyrë aktive në jetën publike pa i demonizuar.

“Nuk duhet ta shohim religjionin si diçka të jashtme, por si pjesë të shoqërisë sonë”, ka thënë ai.

Sfida e dytë që përmendi ishte raporti i pazgjidhur politik me Serbinë, i cili, sipas tij, vazhdon të mbajë peng zhvillimin e vendit.

“Një pjesë e madhe e energjisë shtetërore ka qenë e fokusuar në dialogun me Serbinë dhe në çështjen e pakryer të luftës”, u shpreh Neziraj, duke theksuar se shumë probleme të brendshme janë justifikuar me problemet me Serbinë.

Sfida e tretë, që ai e cilësoi si më e ndërlikuara, ka të bëjë me një kaos të vlerave, që ka përfshirë jo vetëm fushën e artit, por edhe median dhe jetën publike në përgjithësi.

“Sot është e vështirë të dallosh një portal kredibil nga një portal që është hapur nga një qoshe e dhomës. I njëjti çakordim vlerash vlen edhe për teatrin dhe raportin e tij me publikun”, shtoi dramaturgu.

Neziraj theksoi se ky çorientim shoqëror e bën të vështirë projeksionin e së ardhmes, sidomos në fushën e kulturës dhe të artit.

Neziraj: Teatri nuk është për me i rahatu shijet e publikut

4 o. më parë / 29 qer 2025 20:10
Jeton Neziraj

Në një bisedë me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, dramaturgu Jeton Neziraj foli hapur për rolin e teatrit në shoqëri, duke theksuar se ky art nuk ka për detyrë të kënaqë apo të rehatojë publikun, por të trazojë, të provokojë dhe të shtrojë pyetje të thella shoqërore.

“Teatri nuk është aty me i rahatu krejt shijet, apetitet edhe idetë e krejt shtresave sociale”, u shpreh Neziraj, duke shtuar se në vepra të tij nuk ka munguar as elementi i burleskës, groteskës apo sarkazmës, që shpesh kanë shqetësuar një pjesë të audiencës.

Sipas tij, qëllimi i teatrit është të krijojë katarsis, por edhe të zhvillojë empati, veçanërisht me ata që nuk kanë zë në shoqëri.

“Përpiqem me u pozicionu fort te qytetarët, te grupacionet që nuk kanë zâ, që nuk kanë pushtet – te minoritetet, viktimat e luftës, grupet e margjinalizuara”, theksoi ai.

Neziraj pranoi se shfaqjet e tij shpesh kanë ngjallur reagime të forta, por kjo, sipas tij, është një shenjë e mirë.

“Nëse një shfaqje teatri i vnon siklet homofobët, nacionalistët ose njerëz të lidhur me grupe parapolitike, atëherë është krejt legjitime. Aq ma mirë për mua si autor”, përfundoi ai.