Arbëri

Jep dorëheqje u.d. i drejtorit të Minierës së Stantërgut, akuzon për presion

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bujar Jashari, ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga detyra të premten, pas mbledhje së Bordit mbikëqyrës të Minierës së Trepçës, duke hedhur akuza për presion.

Në një prononcim për KOHËN, Jashari ka thënë se ka qenë skenar i përgatitur që ai të dorëhiqet në takimin e Bordit.

“Pas takimit tim sot me Bordin Mbikëqyrës dhe mospajtushmerisë që kishim, unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit te Stantergut. Më është kërkuar me dhënë dorëheqje dhe unë kam dhënë dorëheqje. Në njëfarë mënyre ka qenë skenari i përgatitur që nëse nuk dha dorëheqje me më shkarku. Por unë kam dhënë dorëheqje brenda atij takimi”, ka thënë Jashari, duke shtuar se takimi ka zgjatur veç 15 minuta.

Jashari thotë se është akuzuar se nuk po bën përpjekje e duhura për t’i bindur minatorët të heqin dorë nga greva.

“Jam akuzuar që nuk po bëj përpjekjet e duhura sa duhet me i bind minatorët me heq dorë prej kërkesave të tyre dhe në një mënyrë më kanë kërkuar që me emër të identifikojë minatorët që janë futur në grevë. Se ata janë një numër i madh, pothuajse 700 punëtorë iu kanë bashkëngjit grevës. Nuk kishim pajtueshmëri me Bordin dhe në fund kërkuan dorëheqje time”, ka thënë ai.

Minatorët e Trepçës për ditën e katërt me radhë janë në grevë. Po kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, sigurime shëndetësore, pagesa e pagave me kohë dhe shkarkimin e menaxhmentit.

Të premten, gjashtë minatorëve iu përkeqësua gjendja shëndetësore si pasojë e grevës. Në orët e paradites, tre prej tyre janë dërguar pa vetëdije në spital, teksa pasdite edhe tre të tjerë. Nga Spitali i Mitrovicës bënë të ditur për KOHËN se gjendja e tyre shëndetësore, pas trajtimit të bërë, është e mirë.