Arbëri

Javë e rënduar me COVID-19 në Kosovë, shqetësues numri i rasteve pozitive në testet rapide

Një 48-vjecar nga Komuna e Prizrenit është në mesin e katër të vdekurve si pasojë e COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. E nga 2 mijë e 62 persona të testuar me metodën PCR në laboratorin e IKSHPK-së dhe në ato private, 290 kanë rezultuar pozitivë.

Shifrat e të infektuarve kanë vazhduar të jenë treshifore gjatë tërë javës së fundit, derisa 21 persona kanë përfunduar me fatalitet që nga e hëna e deri më tani, duke e çuar në 1 mijë e 544 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Gjatë së shtunës, 466 pacientë kanë marrë trajtim spitalor në klinikat e QKUK-së e në spitalet regjionale, 311 prej të cilëve janë konfirmuar me COVID-19. 336 prej tyre janë duke u trajtuar me okisgjenoterapi, e një është në respirator.

I shqetësuar me përqindjen e personave që kanë rezultuar pozitivë në testet rapide është shprehur drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi. Sipas tij, nga rreth 6 mijë persona të testuar, rreth 30% e tyre kanë dalë pozitivë.

“Deri në 6 mijë qytetarë të kryeqytetit, janë testuar me teste rapide, 25 deri 30%, diku rreth 2 mijë qytetarë kanë rezultuar pozitivë. Jemi të shqetësuar se si përqindje është e lartë, presim që të kemi rritje në numrin e të infektuarve”, ka thënë ai.

Gashi tutje ka treguar se testimit serologjik deri më tani i janë nënshtruar rreth 13 mijë qytetarë, e që hulumtimi i parë nga këto testime pritet të publikohet në fund të muajit.

“Rezultatet e testimeve të punëtorëve shëndetësorë dhe të punëtorëve të komunës janë se mbi 10 % kanë antitrupa”, ka njoftuar ai.

Komuna e Prishtinës është duke kryer teste serologjike që nga muaji korrik i vitit 2020.

Ndërkohë, nga dhjetori, në Prishtinë është duke u realizuar edhe testi rapid, me të cilin rezultatet merren brenda 30 minutave.