Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj e ka akuzuar Qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti për mungesë të dialogut me sindikatën.
Në një konferencë për media të mbajtur të premten Jasharaj ka thënë se katër vjetët e kaluara ishin më të zorshmet për SBASHK-un sepse sipas tij, qeveria Kurti nuk deshi dialog.
Ai ka thënë se ministrja në detyrë e Arsimit Arbërie Nagavci ka treguar mungesë të vazhdueshme të gatishmërisë për dialog me ta.
Jasharaj ka theksuar se nga shtatori mund te kenë probleme sepse siç ka theksuar, nuk e dimë kujt duhet t’i drejtohen me adresa të sakta për problemet e tyre.
Ai ka folur edhe për kongresin e mbajtur të SBASHK-ut, duke thënë se aty janë dakorduar që të ndjekin rrugën e dialogut.
“Lidhur me pyetjen se çka tash e tutje, u tha në kongres që të ndjekim rrugën institucionale duke i dhënë hapësirë dialogut, urojmë që qeveria e re të mos ketë qasje të njëjtë. Shumë çështje kanë mbetur të papërfunduara”, ka theksuar Jasharaj.
Ai ka shtuar se nuk e kanë përjashtuar edhe mbajtjen e protestave e të grevave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
“Nuk përjashtohen edhe veprimet e mëtejshme me protesta, pa përjashtuar edhe grevën e përgjithshme që mund të ndodhë në shtator në qoftë se krijohen institucionet dhe e vazhdojnë të njëjtën qasje ... Kongresi u ka dhënë autorizim organeve që të veprojnë sipas situatës”, është shprehur Jasharaj.
Ndër ankesat që ai i ka përmendur ka qenë ajo që koeficienti i pagës për punëtorët e arsimit nga “janari i vitit 2024 nuk është rritur as sa është rritur inflacioni”.