Arbëri

James Rubin: Kjo nuk është drejtësi

James Rubin

Prokurori James Pace e pyeti dëshmitarin James Rubin për qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale. Ish-diplomati Rubin tha ndër të tjera se nuk e sheh si të drejtë që Thaçi është në bankën e të akuzuarve. Ai tha se e sheh të gjatë periudhën e paraburgimit.

“Fakti që të akuzuarit kanë qenë janë në burg për më shumë se pesë vjet dhe janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe shtetin e së drejtës dhe mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vite përpara se të ndiqet penalisht një çështje penale ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë nuk e kuptoj fare se pse është dashur të qëndrojë në burg për pesë vite”, ka thënë ai.

Ish-zëdhënësi i DaSH-it tha se nuk e sheh si të drejtë gjykimin, tek shtoi se ky nuk ishte vizioni që e kishte ndjekur ish-shefja e tij, Madeline Albright, kur ndihmoi në themelimin e Trububalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavi.

“Unë, për vete, nuk e shoh këtë si shtet të së drejtës ose sundim të ligjit që shpresoja të krijohej nga sistemi ndërkombëtar ose të paktën – pa diskutim që sekretarja Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur ka iniciuar krijimin e Trubunalit të Hagës për Ish-Jugosllavinë ose atë për Ruandën. Mua kjo më është dukur thjesht si një fajësim kolektiv për faktin se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së nëpër male dhe nëpër bjeshkë, mendoj që asnjë person tjetër jashtë UÇK-së s’e ka pasur këtë mundësi, duke e pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së: unë për tre ditë me radhë e kam parë se si janë sjellë ata. Se kush ishte përgjegjës, kush ishte komandanti, kush ishte mbështetës. Duke e pasur këtë lloj njohurie dhe duke e ditur se cilat kanë qenë zhvillimet, unë mendoj që kjo ka qenë e gabuar. Kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por megjithatë kam të drejtën që ta them zëshëm mendimin tim”, tha Rubin.

Lexo përditësimet tjera
James Rubin dhe Hashim Thaçi

LIVE: Dita e dytë e dëshmisë së James Rubinit në rastin Thaçi dhe të tjerët