Ish-të burgosurit e Burgut të Prishtinës kanë rrëfyer torturat e maltretimet që kanë përjetuar gjatë luftës nga ish-drejtori i Burgut, Lubomir Çimburoviq, dhe dy gardianët Predrag Bradiq e Milivoje Iviq. Për të tre është ngritur aktakuzë dhe gjykimi në mungesë ndaj tyre do të nisë këtë muaj
Brenda këtyre hapësirave të këtij burgu, që tani është shndërruar në muze, sa herë hyn aty, Bislim Zogaj thotë se i kthehen kujtimet e dhimbshme.
Ai kujton torturat që, sipas tij, filluan më 1 shkurt të vitit 1997 nga forcat serbe, një periudhë që për të la gjurmë të thella.
“Ajo që më së shumti më ka lënë plagë ose e kam pasë më të vështirë, kur më kanë goditur në gishtërinj më kanë rënë të gjithë thonjtë. E kam pasë të vështirë edhe për higjienë edhe për ushqim, edhe për krejt”, rrëfen Zogaj.
Gjithçka që përjetoi Zogaj gjatë kohës sa qëndroi në Burgun e Prishtinës, thotë se më e vështira ishte takimi me prindërit.
“Prej krejt torturave që i kam përjetuar këtu, ka qenë krejt trupi i mavijosur dhe në një vizitë e kam parë që aty në hyrje i kemi pasur grilat në mes dhe është një formë rrjete, është pak më të rralla telat dhe ka mundësi me u pa figura më mirë. E kam parë që babai im mundohej të ma shihte fytyrën, por unë e përdora një strategji dhe ngrihesha në gishta në këmbë që të mos shihej fytyra, fatmirësisht ia kisha arritë sepse nuk i kishte parë lëndimet prindi im, sepse avokatit i kish thanë ish mirë Bislimi nuk ish torturu”, tregon ai.
Për torturat në Burgun e Prishtinës, Zogaj thotë se bëheshin me dijeni të drejtorit të burgut, Lubomir Çimboroviq, dhe dy gardianët Predrag Bradiq e Milivoje Iviq, për të cilët do të nisë gjykim në mungesë këtë muaj.
“Me dijen e Luba Çimboroviqit jemi torturuar dhe një torturë që ka zgjatë rreth 1 orë e gjysmë pa ndalë me vullnetin e Bradiqit, i cili pa asnjë arsye më ka nxjerrë nga dhoma dhe në katin e dytë, pesë punëtorët e atij ndërrimi më kanë torturuar për 1 orë e gjysmë dhe më ka humbur vetëdija. Pasi m’u ka kthy vetëdija më gjuajshin ujë, m’u ka kthy vetëdija dhe pastaj vazhdonte përsëri tortura”, ka rrëfyer Zogaj, i cili ka përjetuar edhe të tjera tortura në burgjet e tjera të Kosovës dhe të Serbisë. Është njëri nga të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës.
Vuajtjet që iu shkaktuan në atë kohë Ramadan Nishorit thotë se i ndien edhe tash kur i kujton.
“Bukë kishim shumë pak, ishim të maltretuar nonstop, bile çka është më e rënda, bash në atë kohën kur na bijshin qata trohë ushqim që na kanë dhënë, e qitshin e rrahshin dikon në korridor, që ti prej britmave të tij edhe ata bukë nuk ke mujt me hëngër. Të llomit kemi qenë nonstop”, ka treguar Nishori.
Maltretime të shumta Nishori thotë se përjetuan edhe kur i transferonin në burgje të tjera.
“Prej Burgut të Prishtinës na kanë transferu në Burg të Lipjanit dhe sidomos kur na transferojshin, u kon ajo ditë e zezë për neve, se nuk ke pasë çka me pa trupin tonë, veç zi. Na kanë ra edhe me taraba të luleve”.
Përveç gjykimit në mungesë për tre të akuzuarit në Burgun e Prishtinës, këtë muaj, gjykim në mungesë do të nisë edhe për tre të akuzuar të tjerë për krime lufte në Komunën e Gjilanit.
Gjykimet në mungesë janë mundësuar pas ndryshimeve të bëra në Kodin e Procedurës Penale.