Arbëri

Ish-punëtorët protestojnë, kërkojnë kthimin në KEK

Ka më shumë se një vit që nuk kanë marrë paga. Kjo i nxori për herë të katërt në rrugë punëtoret e shoqërisë aksionare “Ushqimi shoqëror”, që përgatisin ushqim në mensat e KEK-ut.

Arsye për këtë, sipas tyre, është moszbatimi i kontratës nga KEK-u, e cila skadon më 24 qershor.

“Tenderimet janë në pyetje. Prej 13 marsit 2020 na kanë larguar padrejtësisht, na kanë dërguar pandemia. E kanë gjetur arsyen po i renovojmë menazat. Menazat janë rinovuar, tash po pritet me dal tenderi. Është ka përgatitet për një kompani. Ku jena ne. 40 punëtorë jemi”, tha Sylejman Hashani, nënkryetar i Sindikatës “Ushqimi shoqëror”.

Hashani thotë se për punën që e ka bërë si kuzhinier është paguar me pagë prej 100 eurosh. Ndërsa shton se menaxheri i ndërmarrjes nuk iu është lajmëruar punëtorëve që kanë mbetur pa paga për më shumë se 1 vit.

Dek 2: Remzije Isufi, Kryetare e Sindikatës së “Ushqimit shoqëror”

“Gjatë pandemisë kemi mbetur pa punë. Ma nuk na kanë marrë parasysh dhe nuk kemi m’i ndalë protestat deri të na marrin parasysh. Për 4 vjet e kemi pasur tenderin. Një herë kemi pasur takim me zëvendësministrin, por s’ka asgjë. 24 qershor na skadon kontrata e tenderit”, tha Remzije Isufi, kryetare e Sindikatës.

Në përkrahje të këtyre punëtorëve, të cilët deri më 2006 kanë qenë nën ombrellën e KEK-ut, ka dalë edhe nënkryetari i Sindikatës së Re të punëtorëve të KEK-ut, Nexhat Llumnica.

“Kërkesa e punëtorëve është që të kthehen në KEK. Ne si sindikatë i përkrahim këta punëtorë për t’u kthyer në KEK. Na prej qeverisë jemi duke kërkuar dhe kemi pasur takim me zëvendësministren e Zhvillimit Ekonomik dhe na ka premtuar se do të shikojë procedurat e ligjshme që këta punëtorë të kthehen në KEK por nuk ka vendim të tillë ende as nga Bordi as nga Ministria”, deklaroi Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut.

Ndërsa KEK-u në një përgjigje për KOHËN ka thënë se kontrata ka skaduar dhe se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga kjo shoqëri aksionare.

“Duke pas parasysh situatën e pandemisë (ku shumicën e kohës nuk ka punuar gastronomia) si dhe gjendjen e rënduar të kuzhinave, KEK ka shfrytëzuar këtë situatë duke i renovuar kuzhinat me starndardet më të larta. Për më tepër, bazuar në ligjet në fuqi, KEK është e interesuar që të sigurojë ushqim sa më cilësorë për punëtorët e saj”.

Ndërkohë, punëtorët e shoqërisë aksionare “Ushqimi” kanë protestuar edhe para Qeverisë.