James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai është në mesin e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja. 

Se do të dëshmojë në këtë proces Rubini e ka konfirmuar javën që shkoj në emisionin "Christiane Amanpour Presents: The Ex Files”.

“Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, ka thënë ai.

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë dhe pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi nga mbrojtja e ekipit të ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë.

E dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish deputeti i LVV-së Rexhep Selimi.

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë përmes një shkrese më 2 shtator ka njoftuar se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

Në Hagë të dielën është protestuar për të kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara dhe për të shprehur pakënaqësi me procesin e deritanishëm gjyqësor që po shkon drejt fundit.

Në protestë dolën mijëra pjesëmarrës, shumica prej tyre nga diaspora, por pati edhe nga Kosova që udhëtuan.

Ata mbanin flamuj kombëtarë e pankarta me portretet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit që po gjykohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë, si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave, si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

 

 

“Në Rambuje Thaçi shprehu shqetësim se s’kishte autorizime për nënshkrim në emër të UÇK-së”

13 min. më parë / 15 sht 2025 10:23 Nga: Ardit Kika
James Rubin

Në prezantimin e shkurtër që ia bëri James Rubinit, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, avokati kryesor i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka theksuar se dëshmitari ishte i dërguar i lartë i sekretares së Shtetit Madeline Albright dhe u përfshi në Rambuje me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe në demobilizimin e UÇK-së. 

Mishetiq tha se dëshmitari, Rubin, ka treguar paraprakisht në dëshminë e tij para mbrojtjes se në Rambuje, Thaçi i ka treguar se ishte i shqetësuar se nuk kishte autorizimet e nevojshme për të dhënë nënshkrimin e tij në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rubin po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai është në mesin e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja. 

Rubin nis dëshminë, dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit të pranishëm

35 min. më parë / 15 sht 2025 10:01
James Rubin

James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Rubin ka nisur dëshminë, ndërsa dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit të pranishëm në gjykatore.

Dëshmia e Rubinit pritet të zgjasë dy deri në tri ditë.

Avokati i Thaçit: Sot do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën

46 min. më parë / 15 sht 2025 09:50
Pierre Richard Prosper

Foto: KSP

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper deklaroi se sot “do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999”.

Këto deklarata ai i bëri para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Ai do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Presidenti falënderon të gjithë për mbështetjen në këtë proces. Jemi entuziast për sot, sepse do të na japë një mundësi që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që të ri-ekzaminojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i një procesi ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregohen që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë dhe shpresoj që mund të jeni prezent dhe të raportoni drejtë për çfarë do të ndodhë sot këtu”, u shpreh ai.

Mbrojtja e Thaçit nuk ka dhënë detaje për dëshminë, veçse shtoi se “nëse Dhomat e Specializuara dëgjojnë të vërtetë, atëherë do të kemi mundësi për një vendim të drejtë”.

“Nuk dua të jap detaje për dëshminë, por prapë, kjo është mundësia jonë që të dëgjojmë të vërtetën se çfarë ndodhi dhe të kuptojmë rolet dhe përgjegjësitë janë...Shpresoj [për arritjen e një vendimi]. Nëse Dhomat dëgjojnë të vërtetën, atëherë do të kemi një mundësi për një vendim të drejtë dhe një që tregon se klienti jonë është i pafajshëm”, shtoi ai para mediave.

Sot do të dëgjohet dëshmitari i parë të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi./KSP
 

Ambasadori i Kosovës në Holandë: Çdo seancë monitorohet me kujdesin më të madh

53 min. më parë / 15 sht 2025 09:44
Dren Doli

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli deklaroi se të gjitha seancat gjyqësore janë monitoruar nga ambasada, siç tha ai, me kujdesin më të madh.

Kështu u shpreh ai para mediave, teksa ka arritur pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

“E përcjellim çdo herë ose online, ose me prezencë fizike. Asnjëherë nuk është asnjë seancë e cila nuk monitorohet nga ambasada me kujdesin më të madh”, deklaroi ai para mediave.

Të dielën, rreth 10 mijë shqiptarë kanë mbajtur protestë masive në Hagë, qytetin holandez ku e ka selinë Gjykata Speciale.

Doli tha se protesta e djeshme e dërgoi mesazhin e duhur, ndërkohë që u pyet se pse dje ishte e pranishme policia pranë ambasadës.

“Nuk e di, ndoshta kanë pasur ndonjë informacion, jo absolutisht, ne asnjëherë nuk kërkojmë mbrojtje nga populli i Kosovës, ajo është ambasada e Kosovës, shtëpia e kosovarëve”, shtoi ai.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, pritet të nis sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. /KSP