Arbëri

Ish-minatorët kërkojnë njohjen e përvojës për vitet që u larguan dhunshëm nga puna

Foto: Ilustrim

Njohja e përvojës së punës për vitet ‘90 kur u larguan dhunshëm nga puna është njëra nga tri kërkesat e ish-minatorëve të Kosovës. Në një takim në Shoqatën e minatorëve pensionistë dhe invalidë, të mërkurën ata kanë përmendur mundësinë për protesta nëse Qeveria dhe Kuvendi nuk japin sinjal për plotësimin e kërkesave të tyre. Përveç përvojës, ata kanë kërkuar t’u pranohen kualifikimet e brendshme dhe të gëzojnë statusin e pensionistit kontributpagues.

Ish-minatorët e “Trepçës” dhe minierave tjera, të cilët kanë humbur vendin e punës deri në fund të 2004-s, marrin pension të parakohshëm në vlerë prej 126 eurosh. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, aktualisht janë afro 1840 ish-minatorë që përfitojnë pension të parakohshëm. Mosrealizimi i kërkesave nga institucionet, sipas kryetarit të Shoqatës së Minatorëve pensionistë, Bedri Bunjaku, do t’i lërë ish-minatorët me 100 euro pension.

“Këtë pension e ka vetëm sa është në pension të parakohshëm. Ditën që e bën moshën e pensionimit kthehet në 100 euro. Ne kemi bërë greva dhe protesta për të themeluar shtetin, na kanë quajtur luanë të nëntokës, na kanë thënë që ju keni rrënuar themelet e ish-Jugosllavisë, na thonë fjalë miradije sa të duash, por përkrahje zero”, ka thënë Bunjaku.

Ish-minatorët ishin larguar nga puna nga udhëheqjet e dhunshme të instaluara nga regjimi i Beogradit pas grevës tetëditore që kishin mbajtur në vitin 1989. Shumë nga ta nuk u kthyen në punë, pasi shumica e minierave mbetën jashtë funksionit. Bunjaku ka treguar se kur kanë dalë në pension të parakohshëm i kanë marrë vetëm 30 deri në 50 euro pension.

“Unë kam qenë në grevë në ‘89-‘90. Nuk jam pishman për atë që kam bërë, por është problemi se çfarë bëmë ne për vete. Minatorë ka pasur që kanë rënë në altarë të lirisë, pse ne në këtë gjendje me mbetë”, ka theksuar ai.

Më i zëshëm në këto kërkesa ka qenë ish-minatori Rrustem Sinani.

“Pasi shteti, Qeveria e Parlamenti nuk janë duke i marrë parasysh kërkesat tona, kërkoj që të merret vendim që në një afat prej 10 ditësh të thirren minatorët dhe të bëhet një protestë masive. Në të kundërtën, nëse as ajo protestë nuk ka sukses, do të vendosemi edhe këtu apo do të shkojmë para Qeverisë dhe e marrim nga një qebe e mbulohemi. Ne kemi mbetur 8 ditë e 8 net nën dhe, dhe po na e bien punën që të vdesim para shkallëve të Qeverisë”, ka pohuar ai.

Edhe Fejzullah Metolli, kryetar i Kuvendit të Shoqatës, ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje për ish-minatorët.

“Minatorët janë me 126 euro. Jemi me një kategori të veçantë nga që të gjithë. Të gjitha pensionet rriten e neve nuk na prek kjo rritje. Ka 20 vjet që jemi një kategori që nuk e prek as rritja, as asgjë”, ka thënë ai.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve lidhur me kërkesat e ish-minatorëve, por ajo nuk është përgjigjur gjatë të mërkurës.