Paneli zgjedhor për ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë si të pa bazuara dhjetëra ankesa të ish-kandidatëve për Kuvendin Komunal në Lipjan në zgjedhjet e 17 tetorit.
Në mesin e tyre janë hedhur poshtë edhe ankesat e ish kandidatit Mentor Ismaili nga PDK-ja i cili ka deklaruar se në një vendvotim nuk i është numëruar as vota e motrës së tij dhe disa familjarëve të tjerë. Po ashtu ankesa i është refuzuar edhe dhjetëra kandidatëve të tjerë për asamble nga radhët e PDK-së të cilët dyshojnë se komisionarët kanë manipuluar me vota.
Kjo çështje ka nxitur reagimin e ish kandidatëve nga ky subjekt. Mentor Ismaili ish-kandidat për Kuvendin Komunal në Lipjan nga radhët e PDK-së, ka thënë se është i bindur se familjarët e kanë votuar por që komisionarët kanë manipuluar.
“Familja ku është e martuar motra ime në fshatin Rubovc dhe halla ime në një qendër të votimit, votat më janë bartur për dikë tjetër nga komisionarët çoftë në mënyrë të qëllimshme apo të gabuar”, ka thënë Ismaili.
Ai deklaron se së pari i është drejtuar PZAP-së me pas edhe Gjykatës Supreme dhe sipas tij asnjëra e as tjetra nuk gjetën vullnetin për drejtësi.
“Në vendimin e PZAP-së vërehet qartë mostrajtimi im serioz i lëndës dhe materialeve/dëshmive të paraqitura në apelin tim. Apelin në PZAP e kam dorëzuar me datë 04.11.2021 me anë të cilit kam kërkuar rinumërimin e votave. Kërkesa për rinumërim të këtyre qendrave të votimit ka ardhur si rezultat i deklarimeve të votuesve të cilët më kanë deklaruar që më kanë votuar mua si kandidat për asamble komunale të Lipjanit nga radhët e PDK-së”, ka thënë Ismaili.
Ai sqaron se dëshmive i ka bashkangjitur edhe deklaratat e votuesve së bashku me dokumentet e tyre të identitetit ashtu siç kërkohej me ligj.
“Duke u bazuar në arsyet e bazuara kam kërkuar drejtësi nga Gjykata Supreme të hedhë poshtë vendimin e PZAP Anr.992/2021 të datës 08.11.2021 dhe të merr vendim për rinumërimin e fletëvotimeve në qendrat e votimeve në komunën e Lipjanit mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur as nga Gjykata Supreme. Të gjitha dëshmitë dhe deklaratat e cekura më lartë në ankimimit gjenden në dosjet e PZAP-së, shtrohet pyetja si është e mundur që organet e tilla të mos trajtojnë lëndët me një sërë faktesh. Si është e mundur që në një vendvotim jam i sigurt që votat e mija i janë bartur kolegut gabimisht apo qëllimisht”, ka thënë Ismaili.
Po ashtu edhe Alban Bajrami, ish kandidat për Kuvend ka thënë se ankesa e tij për rinumërimin e një vendvotimi në fshatin Dobrajë, nuk i është marrë parasysh nga PZAP-ja.
“Edhe unë kam bërë kërkesë për rinumërim dhe ankesë për manipulim të votave nga komisionarët por nuk është njohur e drejta”, ka thënë midis të tjerash Bajrami.
Ndërkaq, Valdet Buja po ashtu ish kandidat për Kuvend nga PDK-ja ka thënë se ankesat e tij do t’i ripërsërit edhe në shkallën më të lartë derisa është i bindur se të të afërmit e kanë votuar. “Të gjithë ata që më kanë votuar janë të gatshëm me dokumente të identitetit të dëshmojnë për votat e tyre, por mua në një vendvotim nuk më figuron asnjë votë, prandaj kjo është shqetësuese dhe duhet të merren masa nga PZAP-ja dhe gjykata”, ka thënë shkurtë Buja.
Koha ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga zyrtarët e PZAP-së lidhur me këtë çështje por kontakti nëpërmjet telefonit ka qenë i pamundur.
Ndërkaq, në një vendim të PZAP-së, midis të tjerash thuhet se ankesa ka pasur nga kandidatët në komunën e Prizrenit, Suharekës, Pejës, Dragashit, Lipjanit dhe disa të tjera.
“Me aktgjykimin AA.Nr.70/2021 Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur lidhur me ankesën e M.I, kandidat për anëtar të Kuvendit Komunal të Lipjanit nga subjekti i PDK-së, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tij, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së”, thuhet në vendim. Po ashtu edhe në një vendim tjetër ndaj ish kandidatit A.B, midis të tjerash thuhet se “Gjykata Supreme duke vendosur për ankesën e A.B kandidat për Deputet në Kuvendin e Komunës së Lipjanit nga PDK-ja, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tij të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së”, thuhet mes të tjerash në këtë vendim.