Me iniciativë të Burim Kabashit nga fshati Gurrakoc i Istogut, të hënën në këtë fshat ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për peticionin kundër vendimit të Komunës së Istogut për rrënimin e objektit të ish-burgut në Gurrakoc.
Kabashi, që edhe vetë ka qenë i burgosur aty në vitin 1999, i ka thënë KOHËS se qëllimi i peticionit është që edhe ish-burgu të shndërrohet në muze dhe të mbahet në kujtesë persekutimi që iu është bërë shqiptarëve me dekada të tëra.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky burg daton pas Luftës së Dytë Botërore në vitet e 50-ta. Këtu ka pasur dhunë sistematike nga pushteti serb qysh nga vitet e 50-ta. Andaj, gjeneratat që vijnë ne do të na gjykojnë për mosruajtjen e këtij burgu”, ka thënë Burim Kabashi, ish-i burgosur në burgun e Gurrakocit.
Duke nënshkruar peticionin, mbështetje kundër rrënimit të atij objekti i kanë dhënë edhe shumë qytetarë të kësaj komune që ditën e parë.
“Jemi për mos me prish këtë monument që është shumë trishtues. Le ta dinë edhe gjeneratat e tjera se çka kanë vuajtur të parët tanë nëpër këto burgje nga Serbia”, ka pohuar Isa Gjocaj, qytetar nga fshati Tomoc i Istogut.
Në komunë, e cila veç kishte nisur përgatitjet për rrënimin e objektit, duket se janë zmbrapsur nga vendimi për rrënimin e tij që kishin sjellë para një muaji.
“Objekti në Gurakoc është në gjendje shumë të vështirë. Por nuk do të rrënohet. Unë besoj që ky peticion është i panevojshëm. Komuna është këtu, është e qytetarëve dhe do të shikojmë të gjitha mundësitë se si do të veprohet më tutje me atë objekt”, ka thënë Agim Ademaj, nënkryetar i Komunës së Istogut.
Ademaj ka pohuar se për këtë objekt, Komuna tash do t’i njoftojë institucionet përkatëse, përfshirë edhe institutin rajonal në Pejë për mbrojtjen e monumenteve.
Objekti i ish-burgut në Gurakoc është në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë, kurse toka është pronë e Komunës, e cila kishte marrë leje nga Ministria që ta rrënojë objektin, në të cilin pas luftës kanë jetuar familje skamnore.