Arbëri

Investitorë privatë të interesuar për ndërtimin e hekurudhës Shqipëri-Kosovë

Njëri prej projektligjeve të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë është ai për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor, e për të cilin vlerësohet se hap mundësinë e investimit për lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Kosovën. Studimet kanë treguar se hekurudha Milot - Morinë ka një gjatësi prej 108 kilometrash dhe kushton afro 500 milionë euro. Qëllimi strategjik i Kosovës është të ketë pikë referimi portin e Durrësit dhe të jetë ekonomikisht e pavarur nga portet e tjera në rajon, si të Tivarit në Mal të Zi dhe Selanikut në Greqi. Ky projekt ka nxitur edhe interesimin e kompanive të njohura ndërkombëtare

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në fund të legjislaturës së nëntë disa projektligje, përfshirë edhe katër projektligje, pjesë e paketës ligjore për transportin hekurudhor në Shqipëri. Njëri prej projektligjeve, ai për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor hap mundësinë e investimit për lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Kosovën.

“Krijimi i organeve rregullatore hekurudhore do të bëjë të mundur rritjen e iniciativave të subjekteve private të vendit dhe të atyre të huaja për të marrë pjesë me investime në këtë treg. Me këtë ndërhyrje në legjislacion, Qeveria e Shqipërisë krijon mjedisin që sektori hekurudhor shqiptar të përfshihet në hartën e investimeve që do të bëjë BE-ja për korridoret hekurudhore, përfshirë edhe hekurudhën që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën. Me mbështetjen financiare të BE-së është realizuar studimi i fizibilitetit i të gjithë rrjetit hekurudhor shqiptar, dhe lidhjet e reja me vendet kufitare të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe një projekt studim-ide për lidhjen hekurudhore me Kosovën krahas lidhjes ekzistuese me Malin e Zi janë bërë projektet e rikonstruksion/ndërtimit të shumë segmenteve të tjera, si dhe shumë shpejt do të fillojë rikonstruksioni i linjës Durrës-Tiranë në lidhje me aeroportin ndërkombëtar të Tiranës”, ka theksuar Etjen Xhafaj, ish- zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, i dorëhequr ditët e fundit nga detyra, pasi ka marrë mandatin e deputetit dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Më 2 tetor të vitit të kaluar, në Tiranë u mbajt mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Mbledhja e dy qeverive u përmbyll me nënshkrimin e disa marrëveshjeve dhe protokolleve të bashkëpunimit dypalësh, ku e para kishte të bënte me transportin hekurudhor.

Më 5 korrik të këtij viti , Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe kompania amerikane “Bechtel” nënshkruan në Tiranë marrëveshjen e parë mes të dyja palëve, që do të pasohet me nisjen e fazës së parë të punës për vënien në jetë të projektit të hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drini i Zi në zonën e Kukësit.

Rikthimi i kompanisë “BECHTEL” në Shqipëri na kthen 11 vjet pas, kur kjo kompani përfundoi së ndërtuari autostradën Rreshen-Kalimash.

Në nëntorin e vitit 2010, Riley Bechtel, presidenti i kompanisë amerikane “Bechtel” ka shprehur interesin e kompanisë së tij për të ndërtuar hekurudhën që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën. Interesin për të marrë pjesë në këtë garë, Riley P. Bechtel e pati shprehur atëbotë në takimin që ka zhvilluar në Tiranë me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e përfundimit të punimeve të ndërtimit të rrugës Rrëshen - Kalimash.

Por krahas Riley Bechtel, edhe të tjerë investitorë kanë shprehur interesim për projektin e hekurudhës Milot-Kukës-Prizren. Ato janë Europian Investment Bank, Intesa San Paolo Bank, Engel Invest, Strabag dhe China Railëays. Partnerët e tjerë strategjikë potencialë janë edhe Deutsche Bank, FS Italian, WSP, Parsons, Brinckerhoff.

Studimi tregon që hekurudha Milot - Morinë ka një gjatësi prej 108 kilometrash dhe kushton afro 500 milionë euro. Qëllimi strategjik i Kosovës është të ketë pikë referimi portin e Durrësit dhe të jetë ekonomikisht e pavarur nga portet e tjera në rajon, si të Tivarit në Mal të Zi dhe Selanikut në Greqi.

Edhe Komisioni Evropian ka prioritet numër një zhvillimin e hekurudhave në rajon, duke subvencionuar 50% të projekteve hekurudhore. Derisa Serbia ka marrë financime disa miliarda euro nga BE-ja, Rusia, Kina etj. vetëm për hekurudha dhe 56% të mallrave të saj i transporton me hekurudhë, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi më i pazhvilluar në sektorin hekurudhor në rajon.

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Várhelyi, më 10 qershor të këtij viti në Tiranë tregoi për një marrëveshje të arritur në fillim të këtij muaji në Këshillin Evropian për 30 miliardë euro në formë investimesh në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në shtator të vitit të kaluar, Várhelyi është shprehur se brenda mandatit të komisionit aktual do të financohen projektet që do të lidhin të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me autostrada e hekurudhë.

“Ne duam të lidhim të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin me autostrada dhe linja hekurudhore. Këto janë projekte objektive që ne do t’i financojmë brenda mandatit të komisionit aktual”, tha Olivér Várhelyi në shtator të vitit 2020.