QKUK-ja, katër spitale të përgjithshme dhe Agjencia për Produkte Medicinale udhëhiqen prej vitesh me ushtrues detyre të drejtorit. Disa konkurse për drejtorë janë anuluar shkaku i dallavereve të konstatuara në përzgjedhjen e kandidatëve
Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) prej shtatë vjetësh menaxhohet me ushtrues detyre, në kundërshtim me ligjin.
Ky institucion nuk ka arritur ta finalizojë as konkursin e fundit për drejtor ekzekutiv, meqë gjatë javës që shkoi e ka anuluar atë të shpallur më 28 shkurt.
Katër muaj pasi u shpallën rezultatet përfundimtare, i gjithë procesi është rrëzuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, pasi gjeti shkelje gjatë përpilimit të listës së ngushtë të kandidatëve.
“Ngase për pozitën e punës së kategorisë së lartë drejtuese “Drejtor ekzekutiv” në njërin rast ka përfshirë kandidatë që nuk i plotësojnë kriteret, ndërsa në rastin tjetër nuk i ka përfshirë në listë të ngushtë kandidatët të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit, veprime këto në kundërshtim me dispozitat e ligjit për zyrtarët publikë;... Për shkak të shkeljeve të evidentuara si më lart, kjo procedurë e rekrutimit konsiderohet e paligjshme”, thuhet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në AKPM nuk janë përgjigjur lidhur me këto gjetje dhe nuk kanë treguar se kur do të hapet konkursi i ri.
Me ushtrues detyre prej një vit e gjashtë muaj është edhe Qendra Klinike Universitare.
Për pozitën e drejtorit deri më tani janë anuluar dy konkurse. I fundit u anulua më 29 prill, me arsyetimin për tejkalim të afateve ligjore. As në QKUK nuk treguan se kur do të hapet konkursi i ri.
“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e stabilitetit institucional dhe të funksionalizimit të pozitave udhëheqëse në mënyrë të rregullt dhe të qëndrueshme. Për këtë arsye, konkursi për pozitën e drejtorit të QKUK-së është në planifikim të hapet në një afat të arsyeshëm, në koordinim me autoritetet përgjegjëse dhe në përputhje me procedurat e parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Me ndryshimet e Ligjit për zyrtarët publikë, e që kanë hyrë në fuqi më 2 qershor, është zgjatur nga një në dy vjet mundësia e mbajtjes së pozitës me ushtrues detyre.
Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike vlerësuan se mbajtja e pozitave të drejtorëve me ushtrues detyre ndikon negativisht në integritetin institucional dhe pas tejkalimit të afatit ligjor, janë të kontestueshme edhe vendimet që merren.
“Ka edhe një pasojë tjetër juridike, që është shpallja e vendimeve të këtyre ushtruesve të detyrës të jashtëligjshme, pas tejkalimit të këtij afati. Pra, institucionet duhet të veprojnë me kohë, me saktësi dhe t’i hapin procedurat e rekrutimit dhe t’i realizojnë ato sipas ligjit në fuqi”, ka thënë Ema Pula, menaxhere e projekteve në GLPS.
Përveç QKUK-së, me ushtrues detyre është edhe pozita e drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë, atij të Mitrovicës, të Ferizajt, si dhe Spitalit të Prizrenit.
SHSKUK-ja e ka anuluar për herë të dytë konkursin për zgjedhjen e drejtorëve në spitalin e Ferizajt dhe Mitrovicës.