Arbëri

Institucionet publike dështojnë t’i konfiskojnë disa aparate të kazinove në Lipjan

Lipjan, 28 janar – Policia e Kosovës në Lipjan që nga fillimi i këtij muaji gjatë 24 orëve është duke e mbikëqyrur një objekt në rrugën “Haxhi Kleçka” në të cilin dyshohet se janë zënë në funksion disa aparate të lojërave të fatit. Ndërkohë, deri tash institucionet përkatëse nuk i kanë konfiskuar ato.

Ekipet e Policisë së Kosovës vazhdimisht po qëndrojnë pranë objektit dy katërshe derisa institucionet përkatëse ende nuk i kanë konfiskuar ato. Burime të Kohës, kanë thënë se dyshohet që pronari i këtyre lojërave biznesmeni (M.M) ka lidhje me zyrtarë të institucioneve, ndërkohë askush nga institucionet nuk po marrin “guximin” që t’i konfiskojnë ato.

“Prej 4 janarit Policia e Kosovës po i ruan aparatet e kazinove në Lipjan, kurse Dogana e Kosovës apo institucionet tjera nuk po i konfiskojnë ato. Aparatet gjenden brenda objektit me ‘bllomba’, kurse Policia po i ruan 24 orë, por institucionet si Dogana nuk po ‘guxojnë’ t’i konfiskojnë. Pronari i tyre njihet si biznesmen i fortë me biznese të tilla dhe lidhshmëri me zyrtarë të institucioneve publike”, ka thënë ky burim me kusht që mos t’i përmendej emri në gazetë, por që është i njohur për redaksinë.

Në Policinë e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve konkrete të KOHËS. Ndërkohë, ky institucion përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, së bashku me Doganën e Kosovës dhe ATK-ne, nga data 06.01.2021 kanë filluar se zbatuari urdhrin e gjykatës kompetente për sekuestrimin e automateve për lojërat e fatit të cilat janë nën mbikëqyrje të ATK-së dhe Doganës së Kosovës, në depot doganore të bizneseve e të cilat gjenden në disa qytete të Republikës së Kosovës.

“Urdhëresa në fjalë ende është në procese të zbatimit dhe do të vazhdojë së zbatuari edhe ditëve në vijim deri në përfundim të sekuestrimit të të gjitha aparateve të LF”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, Adriatik.Stavileci zëdhënës i Doganës së Kosovës nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka thënë se pas shfuqizimit të ligjit për lojërat e fatit Dogana nuk ka kompetencë në këtë çështje.

“Lidhur me këtë çështje të lutem më lejo të informoj se me shfuqizimin e ligjit për lojëra fati nga Kuvendi i Kosovës Dogana nuk ka asnjë kompetencë lidhur me ketë lëmi, prandaj tani ju lutem kontaktoni me organet e tjera”, ka thënë shkurt Stavileci.

Po ashtu edhe Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e Administratës Tatimore të Kosovës ka thënë se pas shfuqizimit të ligjit për kazino, institucioni i tyre intervenon në raste të tilla vetëm nëse kërkohet asistencë nga organet e drejtësisë.

“Ju njoftoj se ATK pas shfuqizimit të ligjit për lojëra të fatit më nuk ka kompetencë në monitorim dhe licencim të këtyre subjekteve”, ka thënë shkurt ajo.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë prej disa ditësh nuk i është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështje.