Mbi 120 banorë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë në Qendrën lokale të Mjekësisë Familjare deri në mesditën e së mërkurës. Por drejtues të QKMF-së dhe ata të Komunës thonë se ky numër është në rënie. Megjithatë, ende nuk ka të dhëna për shkaktarin e këtij infeksioni. Sipas kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj, institucionet janë duke bërë analiza më të thella të këtyre rasteve.
Pasi e mori terapinë dhe po priste rezultatet e analizave në laboratorin përballë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, një paciente ishte alivanosur. E i shpejtë ishte reagimi i stafit mjekësor, ku pak minuta më pas atë e referuan për në Spitalin Rajonal të Pejës. Pacientja, sipas informatave, është në gjendje të mirë pas trajtimit.
Ajo ishte në mesin e 120 personave që kërkuan ndihmë mjekësore në QKMF, deri mesditën e së mërkurës.
Megjithatë, drejtori i QKMF-së ka thënë për KOHËN se situata është nën kontroll dhe se paradite numri i rasteve ishte më i vogël.
“Ne jemi në kontinuitet dhe po i kryejmë edhe analizat e pacientëve, dhe po presim që të jemi të saktë se nga mund të jetë, bakterial, viral, gazor apo hidrik, por për momentin është i panjohur. Tash kemi edhe pacientë që nuk kanë pasur të bëjnë me ujin, por po përhapet në bazë të kontaktit, që në pasqyrën klinike mund të na çojë deri te kjo se mund të jetë viral, por nuk mund të flasim pa analiza të sakta në ditët në vijim”, ka thënë drejtori i QKMF-së, Selmon Berisha.
E pacientët, shumica e të cilëve nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh.
Derisa ditë më parë pacientët u detyruan që t’i blinin vetë medikamentet për trajtim, të mërkurën kjo nuk ishte e nevojshme. QKMF-ja të martën ka pranuar një kontingjent me barna.
Por, në ndihmë të infektuarve u kanë dalë edhe qytetarë të vullnetit të mirë.
“E bashkëndiejmë dhimbjen me ta. Ideja për me ndihmuar ka qenë pasi kemi pasë informata që deri mbrëmë nuk ka pasur barna në QKMF-në e Deçanit. Edhe kjo ka qenë arsyeja që me sjell barna si donacion”, ka thënë Blend Sahiti, qytetar nga PRishtina
Në ndihmë deçanasve u ka dalë edhe FSK-ja.
Pasdite është mbajtur edhe takimi i Shtabit Emergjent me përfaqësues të fshatrave. Për fshatrat e prekura u premtua ujë, që ishte sjellë si donacion nga kompani që merren me prodhimin e tij.
Pas takimit, kryetari ka thënë se institucionet janë duke kryer analiza më të thella për të gjetur shkaktarët e këtij infeksioni.
“Dje kemi marrë rezultatet e analizave nga IKSHPK-ja që tregojnë se uji është i përdorshëm dhe i pastër, mirëpo duhet bërë analiza shtesë që të gjenden shkaktarët që kanë çuar deri te ky infeksion ose ky helmim”, është shprehur Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit.
Ndërkohë, mungesa e kryeministrit, Albin Kurti, që gjendet në një vizitë zyrtare në Greqi është kritikuar nga paritë opozitare.
Ramush Haradinaj e ka ftuar atë të kthehet nga atje e të merret me situatën në Deçan.