Inspektorati i Komunës së Lipjanit ka vazhduar me aksionin e nisur javë më parë për mbrojtjen e pronës publike dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje.
Së fundi ndaj një qytetari në fshatin Grackë është iniciuar procedurë i cili në pronë publike kishte nisur ndërtimin e një pusi për furnizim me ujë.
Sipas Inspektoratit, punimet janë zënë në flagrancë dhe menjëherë kanë intervenuar edhe Policia e Kosovës. Sipas inspektoratit punimet janë ndërprerë menjëherë dhe janë vendosur shiritat, ndërkohë pronari i cili ka hapur pusin në pronë publike është obliguar ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme.
Koha ka kontaktuar me drejtorin e Inspektoratit Flamur Sylejmani i cili e ka konfirmuar aktivitetin e inspektoratit.
”Po edhe në këtë rast inspektorët kanë intervenuar me kohë dhe kanë parandaluar punimet gjatë hapjes së një pusi në pronë publike. Ndërkohë procedurat tjera janë në vazhdim”, ka konfirmuar Sylejmani.
Ndryshe inspektorati në Lipjan gjatë ditëve të fundit kanë rrënuar një varg ndërtimesh pa leje derisa qytetarët nuk u janë përgjigjur vërejtjeve të inspektoratit.