Inspektorati i Komunës së Ferizaj ka vendosur shiritat e rrezikut dhe ka mbyllur rrugën “Esat Mekuli” në qendër të qytetit derisa ndërtuesit e banesave kanë dëmtuar gjysmën e asfaltit gjatë punimeve në bodrume. Pjesa më e madhe e asfaltit tashmë ka rrëshqitur, ndërkohë ka rrezikuar qarkullimin e banorëve të lagjes. Sipas banorëve bodrumet e thella të objekteve banesore mund t’i rrezikojnë edhe shtëpitë tjera të banimit, andaj kanë kërkuar nga institucionet komunale të jenë më “sy hapur” ndaj këtyre bizneseve.
Hajrush Leka, kryeinspektor në Komunën e Ferizajt, ka thënë se ndonëse objekti që ka dëmtuar rrugën “Esat Mekuli” ka leje ndërtimore, por ndaj tij është iniciuar procedurë për dëmtim të pronës publike sipas ligjeve në fuqi.
“Ndaj pronarëve të banesave keni iniciuar kallëzim penal sepse është dëmtuar rruga derisa është hapur bodrumi i banesave. Inspektorët së bashku me Policinë e Kosovës ua kemi vendosur shiritat e rrezikut dhe e kemi bllokuar komplet qarkullimin e kësaj rruge. Punëkryesi është i obliguar që sipas ligjeve në fuqi brenda një të ardhme të afërt ta rikthej rrugën në gjendjen e më pashme dhe të ballafaqohet me organet e drejtësisë për dëmtimin e pronës publike”, ka thënë Leka.
Sipas tij, inspektorët do të vazhdojnë t’i monitorojnë punimet derisa rruga të rikthehet në gjendjen e më pashme dhe qytetarët të qarkullojnë lirshëm.
Koha ka provuar të marrë një deklaratë nga pronarët e objekteve banesore në këtë lagje, por ata nuk kanë dashur të flasin.
Ndërkaq, qytetarët janë ankuar se bodrumet e thella po rrezikojnë banorët derisa në shumë raste nuk po vendosen mbrojtëse anësore. Njëri nga banorët e lagjes “Esat Mekuli” që nuk deshi t’i përmendej emri, ka thënë se dëmtimi i rrugës publike paraqet vepër penale, andaj organet kompetente duhet të merren me rastin.
“Rruga e cila tashmë është bllokuar nga inspektorati dhe Policia paraqet pengesë për qarkullimin e banorëve sepse ne duhet të lëvizim në anën e kundërt të qytetit. Sidoqoftë, dëmtimi i rrugës është bërë pikërisht nga ndërtuesit të cilët bodrumet e tyre i hapin derisa nuk inspektohen nga askush. Ne kërkojmë që rruga sa më shpejtë të riparohet dhe bodrumet e objekteve të kontrollohen sepse mund të rrezikohen edhe shtëpitë tjera të banimit, siç e kemi pasur rastin e fundit në dale të Ferizajt ku një shtëpi ishte dëmtuar shkaku i bodrumit të objektit banesor”, ka thënë ky burim.