Inspektorati Qendror i Punës, ka njoftuar se ka pranuar një kërkesë anonime për një subjekt pune në veprimtarinë e shitjes në Vushtrri, me ç’rast ka marrë vendim që ta mbyllë përkohësisht sepse është vlerësuar se kushtet e punës paraqisnin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve.
“Inspektorati Qendror i Punës, pas pranimit të një ankese anonime, ka zhvilluar inspektim në një subjekt me veprimtari në sektorin e shitjes me rajonin e Vushtrris. Gjatë inspektimit janë vlerësuar kushtet e punës dhe është konstatuar se ato paraqesin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve. Në bazë të kompetencave ligjore dhe me qëllim mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së punëtorëve, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të veprimtarisë punuese në këtë subjekt, deri në plotësimin e të gjitha masave të kërkuara”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Punës në rrjetin social Facebook.
Sipas Inspektoratit të Punës, nga janari e deri në qershor të këtij viti, janë regjistruar 268 aksidente në vende të punës, prej të cilave 7 kanë përfunduar me fatalitete.
Vetëm më 21 korrik, tre punëtorë kanë vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në vendpunime, dy prej të cilëve janë shënuar në rajonin e Gjakovës dhe një në atë të Istogut.