Arbëri

Inspektorati i Lipjanit në aksion kundër shpërndarjes së afisheve nga bizneset

Shpërndarja e afisheve (fletushkave-reklamave) nëpër hyrje banesore nga bizneset, janë bërë mjaftë të bezdisshme nga qytetarët e Lipjanit. Kjo ka shtyrë inspektoratin që të nisë një aksion i cili ka rezultuar me ndëshkim dhe vërejtje për disa biznese. Sipas inspektoratit, qytetarët shpeshherë po kërkojnë që afishet mos të shpërndahen para hyrjeve banesore pasi që ato ndërkohë po krijohen në mbeturina.

Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit ka thënë për KOHËN se aksioni i inspektorëve ka nisur pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve kundër afisheve.

“Sa herë që pranojmë foto dhe ankesa nga qytetarët ne fillimisht u japim vërejtje bizneseve, ndërkohë nëse përsëritën ato nga i njëjti biznes, atëherë ne i ndëshkojmë sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë Rrustemi.

Ndërkaq në një procesverbal të cilin e ka siguruar KOHA midis të tjerash thuhet se inspektorët kanë nisur inspektimet pas ankesave të qytetarëve.

“Ky biznes ka bërë shpërndarjen e fletushkave në vende jo adekuate nëpër hyrje të ndërtesave të cilat janë shpërndarë në tokë dhe të cilave po krijohen mbeturina”, ka thënë ai.

Kujtojmë se në njërën nga mbledhjet e fundit të Kuvendit Komunal kuvendari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Shkëlzen Bislimi, pati kërkuar nga ekzekutivi që ta marrin si shembull Komunën e Prishtinës dhe disa komuna të tjera të cilat tashmë e kanë të rregulluar çështjen e shpërndarjes së afisheve.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme ta përkrahë inicimin e një rregullore të veçantë rreth kësaj çështje e cila është në interes të qytetarëve.

“Qytetarët kanë adresuar edhe tek ne shqetësime se po krijohen mbeturina nga shpërndarja e afisheve, qoftë në hyrje të banesave apo edhe nëpër lagje të qytetit. Pra, këto afishe që shpërndahen në numër shumë të madh në qytetin tonë po e ndotin më së shumti ambientin, prandaj ekzekutivi duhet të marrë masa fillimisht për inicimin e një rregullore të veçantë e pastaj inspektorati të shqipton gjoba për të gjithë ata që e shkelin ligjin”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, kompanitë e bizneseve të cilat e bëjnë shpërndarjen e afisheve në një periudhë të caktuar, asnjëherë nuk i pastrojnë ato, prandaj me vendim të Kuvendit Komunal duhet t’ia ndalojnë një gjë të tillë.