Arbëri

Inspektorati i kërkon Aeroportit të anulojë vendimet për mosvazhdim të kontratave 51 punëtorëve

Foto: KOHA

Inspektorati i Punës ka kërkuar anulimin e vendimeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për mosvazhdim të kontratave për 51 punëtorët e kësaj ndërmarrjeje. Në vendimin e tij ka konstatuar një varg shkeljesh nga kompania “Limak”.

Aty thuhet se kompania nuk ka arritur që të dëshmojë se largimi i punëtorëve kishte të bënte me probleme financiare, pasi e njëjta kompani nuk ka ofruar dëshmi për probleme të tilla.

“Bazuar në dokumentacionin e ofruar nga punëdhënësi për inspektim, rezulton se performanca e punonjësve të cilëve iu është dhënë njoftimi për mosvazhdim të marrëdhënies së punës për vitet 2017-2018 rezulton të jetë mbi mesataren e arritjeve”, thuhet në vendim e marrë më 2 prill, raporton KOHA.

Inspektorati ka gjetur edhe shkelje procedurale. Sipas tij, “Limak” kishte autorizuar Basri Zukën që të nënshkruante vendimet për mosvazhdimin e kontratave, pasi që i njëjti person në përshkrimin e detyrës ka përgjegjësi vetëm për rekrutim e jo për nënshkrim të vendimeve për shkëputjen e kontratave. Në mesin e atyre që nuk iu është vazhduar kontrata janë edhe 6 punonjës që kanë përvojë mbi 10 vjet, që sipas Inspektoratit është shkelje e Ligjit të punës.

Punonjësit, që nuk iu është vazhduar kontrata, janë anëtarë të Sindikatës së punëtorëve të Aeroportit dhe kanë qenë pjesë e grevës së organizuar më 19,20,21 gusht të vitit të kaluar, ku është kërkuar trajtim i barabartë dhe kushte më të mira të punës.

 

Artikullin e plotë mund ta lexoni në “Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.