Inspektorati i Komunës së Shtimes së bashku me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar një aksion për t’i kontrolluar të gjitha bizneset e transportit të udhëtarëve.
Sipas Inspektoratit, aksioni kishte për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë, pasi kjo po konsiderohet si një ndër burimet e infeksionit.
Aksioni ka rezultuar me shqiptimin e disa vërejtjeve për kompanitë transportuese, ndërkaq janë paralajmëruar edhe inspektime të tjera gjatë ditëve në vazhdim.
“Gjatë këtyre aksioneve, aty ku kemi hasur në parregullsi kemi vepruar konform ligjeve aktuale në fuqi në bazë të dispozitave ligjore që parashihet për dhënien e masave ndëshkimore. Kështu që prapë do të vazhdojmë me aksione të përditshme vazhdimisht në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, tha Sherif Sherifi, inspektor sanitar në Shtime.
“Në kuadër të kësaj ne kemi nxjerrë edhe planet operative në Policinë e Kosovës, të cilat plane në mënyrë detajuese na obligojnë që të planifikojmë veprimet tona dhe bashkërisht t’i asistojmë institucioneve qoftë komunale apo atyre qendrore sa u përket veprimeve të përbashkëta për parandalimin e COVID-19”, tha komandanti i Policisë së shtimes, Fatmir Limani.
Që nga data 1 dhjetor e deri më tani, Policia e Kosovës në Shtime ka shqiptuar gjithsejtë 167 tiketa ndaj qytetarëve për mosrespektim të masave kundër COVID-19.