Një propozim-rezolutë lidhur me situatën e serbëve në Kosovë e ka iniciuar deputetja e Parlamentit Evropian, Dominique Bilde. Përveç kërkesës drejtuar përfaqësuesit të lartë të BE-së që ta përshpejtojë themelimin e Asociacionit, eurodeputetja franceze që i takon ekstremit të djathtë ka propozuar hetim për veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës.
Të padrejtë e ka konsideruar vendimin e Qeverisë dhe rezolutën e Kuvendit për moslejimin e referendumit të Serbisë në Kosovë.
“Më 15 janar 2022, Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë që deklaronte se serbët e Kosovës do të mund të votonin në referendumin kushtetues të Serbisë më 16 janar 2022 vetëm 'me postë ose përmes Zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë. Kjo bie ndesh me këshillën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, i cili vuri në dukje se “mbledhja e votave në të kaluarën është bërë me lehtësim të OSBE-së”, thuhet në propozim-rezolutën.
Në Zyrën e Kryeministrit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me projektrezolutën e as nuk kanë treguar nëse do t’i lejojë zgjedhjet e Serbisë brenda Kosovës, që mbahen në prill.
Zyrtarë të partisë në pushtet e kanë përsëritur disa herë se do të vlejë praktika e vendosur në rastin e referendumit. Qeveria i ka ofruar dy mundësi për serbët që ta realizojnë të drejtën e tyre të votës nëpërmjet votimit me postë ose votimit në Zyrën Ndërlidhëse.
Emisarët euro-amerikanë, Miroslav Lajçak (BE) dhe Gabriel Escobar (ShBA), të cilët para disa javësh vizituan Kosovën, kërkuan që të gjenden modalitete si të mundësohet votimi për serbët e Kosovës.
Eurodeputetja Bilde në rezolutë ka përmendur tensionet që shpërthyen vitin e kaluar në veri dhe, siç ka thënë, sulmet mbi kishat serbe. E ka bërë këtë duke marrë referencë një fotografi në derën e kishës brenda kampusit universitar me mbishkrimin “Jezusi urren serbët”.
Rezoluta përfundon me kërkesën drejtuar përfaqësuesit të lartë që të bëjë thirrje për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, siç parashihet në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, si dhe ta konsiderojë inicimin e një hetimi për çështjet e përmendura në dokument.
Deputetja Bilde bashkëkryeson dy komisione parlamentare - Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë (SAPC) dhe BE-Bosnjë-Hercegovinë (BH).