Është inauguruar sheshi “Rexhep Luci” në qendër të Prishtinës. Pos sheshit, është zbuluar edhe një pllakë përkujtimore në nder të arkitektit, emrin e të cilit e mban sheshi.
“Ëndrra e arkitektit që i dha shpirt Prishtinës po bëhet realitet: qyteti nuk ndërtohet për beton, por për jetë”, ka shkruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në Facebook të enjten në mbrëmje.
Rexhep Luci ishte vrarë para 25 vjetësh në hyrje të banesës në Prishtinë. Atë kohë ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Njihej për qëndrimet kundër ndërtimeve pa leje dhe mbindërtimeve.
Punimet në këtë shesh ishin kryer pavarësisht një vendimi të Gjykatës Komerciale kundër mbylljes së kësaj rruge.
E KOHA e pati konfirmuar se Komuna nuk ka marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për projekti mbi 1.3 milionë eurosh. Të paktën sipas një shkrese të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe një ekstrakti të hartës së zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të kryeqytetit, kjo rrugë hyn te hapësirat ku nuk veprohet në infrastrukturë pa pëlqim nga IKMM-ja. E Inspektorati ka ndaluar punimet në “Xhorxh Bush” e “Qamil Hoxha” pasi Komuna nuk ishte pajisur me leje me shkrim nga IKMM-ja.