Arbëri

Inaugurohet një shkollë fillore në Mitrovicën e Veriut

Inaugurohet një shkollë fillore në Mitrovicën e Veriut

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi e kryetari në largim i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, të martën kanë inauguruar një shkollë fillore në lagjen “Kodra e Minatorëve”. Pjesëmarrës ishte edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Jugut, Faton Peci.

Atiq e mori fjalën i pari, duke thënë se kjo është shkolla e dytë që po ndërtojnë në këtë komunë, pas asaj në lagjen e Boshnjakëve më 3 tetor.

“Gjendemi këtu në lagjen Kodra e Minatorëve, në inaugurimin e shkollës fillore. Një projekt i Qeverisë Kurti dhe Ministrisë së Arsimit. Sapo e përfunduam inaugurimin e projektit të shkollës fillore. Kjo është shkolla e dytë, pas asaj në lagjen e Boshnjakëve, në inaugurimin që e bëmë më 3 tetor. Ky projekt pritet të përfundojë brenda 15 muajve. Shkollë me kapacitet prej 350 nxënësish. Faleminderit Qeverisë dhe Ministrisë”, ka thënë ai.

E përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Muhedin Nushi, ka treguar se kostoja e këtij projekti është 2.3 milionë euro.

“Në mungesë të ministres Nagavci, sot unë jam përfaqësues i Ministrisë së Arsimit. Kostoja e këtij projekti është 2.3 milionë euro. Edhe kryetari e theksoi se është objekti i tretë infrastrukturor në komunën e Mitrovicës së Veriut, pas shkollës dhe çerdhes në lagjen e Boshnjakëve. Sot e inauguruam edhe këtë objekt dhe do të vazhdojmë me investime të tjera. Dua t’ju kujtoj se Ministria e Arsimit, gjatë këtij mandati, ka investuar vetëm në infrastrukturë arsimore gjithsej 162 milionë euro, nga të cilat 73 milionë vetëm për shkolla – ndërtim të ri të shkollave, riparim dhe rindërtim të tyre. Kështu që investime të tilla janë ndër më të dobishmet”, u shpreh Nushi.

Ministri në detyrë, Sveçla, u shpreh i lumtur që po vazhdohet me këso projekte në veri.

“Rinia jonë jo vetëm të ketë kushte për mësim, por të ketë edhe një perspektivë, në një ambient të sigurt për të gjithë. Unë jam jashtëzakonisht i lumtur që po vazhdojmë me këto lloj projektesh në këtë zonë, e cila deri vonë është njohur si zonë problematike, e tash është kthyer në një zonë prosperuese për të gjithë banorët”, ka deklaruar ai.

 

VIDEO: