Arbëri

Improvizimi i Hotit

Avdullah Hoti nuk i ka shtrënguar duart me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kur të enjten me të ka realizuar takimin e parë në Bruksel, në kuadër të një vale të re negociatash Kosovë-Serbi. Përshëndetja është improvizuar me bërryla, një gjetje e aplikuar gjerësisht në botë, për ta ulur ritmin e transmetimit të virusit vrasës SARS-CoV-2.

Kryeministri Hoti, ndërkaq, nuk ka gjetur një formulë që do t’ia siguronte mbështetjen dhe besimin, për ta përfaqësuar Kosovën në negociatat me fqinjin verior. Ai kishte improvizuar një shumicë në Kuvend, kur para një muaji ia pati propozuar deputetëve përbërjen e kabinetit qeveritar, sikur që ka improvizuar konsensusin përpara rinisjes së negociatave me Serbinë, e edhe konsultimin publik për platformën për dialogun, shkruan KOHA.

Menjëherë pas takimit, shefi i ekzekutivit kosovar është përballur me pyetjet që ndërlidhen me mungesën e konsensusit.

“Unë përfaqësoj Kosovën, Republikën e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, bashkë me partnerët e koalicionit, duke e mbajtur plotësisht të informuar gjithë spektrin politik në Kosovë”, është përgjigjur Hoti.

Kreu i Qeverisë kishte provuar një takim me liderët e subjekteve politike, në muajin e shkuar. Forcat kryesore parlamentare patën refuzuar të përfshihen në proces. Kësisoj, ai nuk e ka siguruar mbështetjen as të shumicës shqiptare dhe as të shumicës së 120 deputetëve sa i ka Kuvendi. Ndërkaq, e ka humbur edhe përkrahjen e presidentit Hashim Thaçi, njeriut që ishte parë si kumbara i Qeverisë së re.

Përkundër kësaj, përpara nisjes në Bruksel, Hoti ka konsideruar ta ketë mbështetjen.