Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka mohuar “publikimet në media që pretendojnë se ka dalë një raport preliminar lidhur me shkaqet e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu”, i cili ndërroi jetë të hënën në Lipjan, pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës.
Në një deklaratë në Facebook, IML-ja ka bërë të ditur se autopsia është kryer me urdhër të Prokurorisë së Shtetit dhe se në këtë proces kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të caktuar nga Policia e Kosovës.
“Me përgjegjësi morale dhe profesionale deklarojmë se nga IML-ja nuk ka dalë ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm është i pavërtetë”, thuhet në reagimin e Institutit.
Sipas IML-së, aktualisht janë duke u kryer analizat histopatologjike dhe toksikologjike të mostrave të marra gjatë autopsisë, në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti përfundimtar.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit që e ka rastin dhe po bëjmë përpjekje maksimale për përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për pesë zyrtarë policorë të dyshuar për përfshirje në rast.
Agon Zejnullahu humbi jetën në orët e para të së hënës, pasi ishte arrestuar me dyshimin se po sulmonte kalimtarë dhe automjete në rrugët e Lipjanit. Familja e tij pretendon se ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga zyrtarët policorë gjatë arrestimit.
Pesë zyrtarët policorë janë ndaluar për 48 orë dhe po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.