Arbëri

IKSHPK për mbeturinat në Prishtinë: Shtojnë përhapjen e sëmundjeve infektive

mbeturina

Kontejnerët e stërmbushur me mbeturina kanë qenë imazhi kryesor i kryeqytetit javën që shkoi

Foto: Driton Paçarada

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka thënë se hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe të ajrit, derisa ka bërë thirrje që të largohen me rregull mbeturinat në secilën lagje të qytetit.

Instituti ka shkruar në Facebook se mbeturinat shtojnë rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksione të traktit respirator.

“Në aspektin mjedisor, mbeturinat kontribuojnë në ndotjen e tokës, ujërave dhe ajrit, duke dëmtuar ekosistemet dhe biodiversitetin. Djegia e tyre e pakontrolluar çliron tym dhe gaze të dëmshme si dioksinat dhe furanet, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje kronike të frymëmarrjes, alergji dhe, në raste të caktuara, edhe sëmundje kancerogjene”, ka shkruar IHMK.

Instituti ka shtuar se prezenca e madhe e mbeturinave në Prishtinë dhe mosasgjësimi i tyre e rrezikon seriozisht shëndetin.

“Rrezik shtesë paraqesin edhe qentë dhe macet endacake, të cilët shpërndajnë mbeturinat, duke rritur mundësinë për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe krijuar zhurmë në lagjet e qytetit. Kapakët e kontejnerëve të hapur dhe kushtet klimatike me reshje shiu kanë favorizuar përhapjen e aromave të pakëndshme, duke ndikuar negativisht edhe në cilësinë e ajrit”, thuhet tutje në njoftim.

IHMK ka bërë thirrje që të sigurohet funksionalizimi dhe mbyllja e kapakaëve të kontejnerëve të mbeturinave, të pastrohet rregullisht hapësira përreth, të rregullohet menaxhimi i mbetjeve inerte dhe të ndalohet hedhja e materialeve ndërtimore në pikat e grumbullimit të mbeturinave urbane.