Arbëri

IKSHPK-ja ka nën mbikëqyrje mbi 6 mijë njerëz

Vetëm për një javë në Kosovë janë konfirmuar 227 raste pozitive me Covid-19. 12 prilli i javës së kaluar ishte dita kur u identifikuan 79 persona me Koronavirus.

Nga 13 marsi 2020, kur janë konfirmuar 2 rastet e para, deri më 12 prill 2020 kanë rezultuar pozitive 362 raste.

Deri paraditen e së dielës, në Kosovë janë rreth 510 raste me Koronavirus, prej tyre 55 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Sipas stafit të kësaj klinike, 2 prej tyre janë në kujdes intensiv, njëra grua shtatzënë nga Komuna e Gjakovës, raporton KOHA.

Sipas mjekes Vera Berisha-Ndreja, 6 persona të tjerë që janë në klinikë janë duke i pritur rezultatet e testimit.

E, edhe 54 persona të tjerë nga Komuna e Ferizajt janë duke pritur rezultatet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Kjo komunë për momentin është e para për nga numri më i madh i të infektuarve, mbi 80 gjithsej. Sipas kryetarit të Ferizajt, Agim Aliut nga ta 75 persona janë punëtorë të kampit Bondstill.

Pavarësisht këtij numri, Aliu ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, që Ferizaj të largohet nga karantina, pasi kjo po u shkakton probleme të shumta.

Pas Ferizajt, Komuna e Malishevës ka më së shumti persona të infektuar, ku numri ka shkuar në 71. Prishtina ka mbi 55 raste.

Sipas institucioneve shëndetësore, nga Koronavirusi në Kosovë deri tani kanë vdekur 12 persona.