Është ditë e ftohtë dimri. Temperaturat kanë shkuar poshtë zeros. Shtresa e hollë e borës ka strehuar gjithçka. Sipër ka mbetur e paprekur. E pashkelur. Era është e vetmja zhurmë që shëtit fshatin Goden të Vitisë.
Zëri i jetës këtu ka heshtur kaherë. Fshati e ka mbyllur historinë e tij me ikjen e banorëve.
Shtëpi boshe. Rrugë të asfaltuara, jo më të gjera se trimetërshe. Plantacione pemësh që i kanë rezistuar pakujdesisë së njeriut e i janë dorëzuar kujdesit të natyrës.
Ndonëse jo shumë kilometra larg qytetit të Vitisë, fshati Goden është braktisur tërësisht tash gati 10 vjet.
Në katundin që dikur pati gjallëri, tani s’gjen njeri. Mbizotërimi i mundësive urbane la Godenin e shumë vendbanime të tjera në Kosovë me pak ose me asnjë banor. Shumë e lanë Kosovën, por shumë të tjerë zbritën në qytete a afër tyre.
Migrimi i brendshëm, që nënkupton lëvizjen e njerëzve nga fshati në qytet a nga qyteti në ndonjë komunë tjetër brenda kufijve të shtetit, është kthyer në fenomen që nga paslufta.
Sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave, vetëm në vitin 2022, 9 mijë e 678 banorë migruan brenda shtetit.
Podujeva prin me numrin e banorëve që e braktisën gjatë këtij viti. Pas saj janë Skenderaj e Drenasi. Qytetarë të shumtë ikën edhe nga Kamenica, Kaçaniku, Lipjani, Rahoveci e Gjakova.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se qytetet që po popullohen më së shumti nga migrimet e brendshme janë ato me potenciale më të mëdha, si Prishtina, Fushë-Kosova, Prizreni e Ferizaj. Vetëm në Prishtinë e Fushë-Kosovë gjatë 2022-s u vendosën afro dy mijë banorë.
Sociologu Jeton Brajshori tregon dy shkaqe që shkenca, të cilën e ka studiuar, i njeh sa i përket migrimit.
“Janë faktorët push edhe pull apo shtytës dhe tërheqës. Kryesisht faktorët push janë ata të cilët kanë të bëjnë më ndonjë fatkeqësi natyrore. Për shembull, ka ndodhur diku ndonjë luftë dhe personat detyrohen për shkaqe shtytëse të migrojnë në vendet e tjera, qoftë brenda apo jashtë, në mënyrë që të bëjnë një jetë më të mirë. Ndërsa, faktorët pull ose tërheqës janë faktorët të cilët i tërheqin njerëzit... për një punë më të mirë, për një sigurim shëndetësor, për një edukim më të mirë. Nuk janë që je i shtyrë që të lësh vendin tënd, por të tërheq diçka që ti të migrosh”, thotë Brajshori.
Mungesa e infrastrukturës, mungesa e shërbimeve sociale, shëndetësore e arsimore, kushtet ekonomike, mungesa e punësimit dhe standardi shoqëror, janë shkaqet kryesore të migrimit të brendshëm në Kosovë.
Demografi Sami Behrami tregon periudhat kohore, brenda të cilave është vërejtur lëvizja më e madhe e popullsisë.
“Në periudhën pas luftës së vitit 1999 trendet demografike në Kosovës kanë zhvillim negativ, me përmasa ndoshta shqetësuese. Por sidomos dekada e fundit pas regjistrimit të popullsisë, po tregon që trendet e zhvillimeve demografike janë mjaft negative”, thotë Behrami.
Migrimi pas luftës ka ndodhur kryesisht për shkak të djegies së shtëpive nga forcat serbe dhe shkatërrimit të ekonomive familjare. Investimi i ri u pa i arsyeshëm në zona urbane.
Demografi Behrami thotë se përveç ndikimit të luftës, migrimi ka ndodhur edhe për shkak të investimeve të ngadalshme të shtetit në zona rurale.
“Pas luftës së vitit 1999, si pasojë e rikonstruktimit të ngadalshëm të vendbanimeve, një pjesë e madhe e popullsisë nuk ka mundur të kthehet në vendbanimet rurale të shkatërruara gjatë luftës, prandaj edhe lëvizjet migruese të brendshme janë shumë intensive në Kosovë. Investimet në infrastrukturë në shumicën e rasteve në drejtim të zonave rurale, janë të vonshme. Investimet në përmirësimin e infrastrukturës janë realizuar pas fillimit të trendit migrues dhe pas fillimit, efektet e infrastrukturës, tani janë të vogla meqenëse popullsia dhe njerëzit kërkojnë kushte më të mira për jetë. Këto kushte më të mira për jetë, këto mundësi më të mira për jetë i ofrojnë zonat urbane ku është i koncentruar edhe zhvillimi ekonomik, edhe të gjitha zhvillimet të tjera”, thotë ai.
Rreth 8 kilometra larg Kaçanikut shtrihet një fshat që më së paku ka mbetur i njerëzve. Jetë, aq sa mundet, i jep vetëm një plakë rreth të 70-tave që kurrsesi nuk pranon ta braktisë. Bëhet fjalë për katundin Gjurgjedell.
Shtëpitë, disa të vjetra të prishura nga koha, e disa të ndërtuara jo shumë kohë më parë, kanë mbetur pa njerëz e me dyer të mbyllura me hallka të metalta. Rrugët janë të hapura për ata që, qe një kohë rikthehen në fshat për t’i rritur bagëtinë.
Janë kryesisht kafshët ato që sundojnë trojet e djerra që rrokin gjerë e gjatë katundin.
Një banor që braktisi Gjurgjedellin u kthye aty për të treguar se çka i shtyri të largohej atë e bashkëfshatarët e tij.
“Unë jam Veli Bela prej këtij fshati. Ka pasur banorë, 200 banorë, shtëpia 80-90. Prej vitit 2008 ka filluar edhe shpërngulja. S’ka pasur asfalt, kushtet e këqija, janë detyruar banorët të ikin prej këtij fshati”, thotë ai.
Nën dry ndodhet edhe objekti që dikur gumëzhinte nga nxënësit. E demoluar e me xhama të thyer, shkolla ka gati 4 vjet që ka bërë harmoni me heshtjen.
Ajo u mbyll në gusht të 2020-s, kur i mbetën vetëm tre nxënës. Të treve, për një kohë, komuna ua organizoi transportin për në shkollat më të afërta, derisa edhe ata, bashkë me familjet, e lanë fshatin.
Pas 2008-s, në Komunën e Kaçanikut u mbyllën shtatë shkolla.
“Shkolla ka qenë këtu. Ka pasur nxënës plotë, po si u mbyll shkolla patjetër me gjete rrugëzgjidhje tjetër, me shkua tjetërkund”...“Do këtu që janë më poshtë kanë shkuar në Ferizaj. Njëri ndër ta jam edhe unë qaty në Komunë të Ferizajt”, tregon ish-banori i këtij fshati.
Demografë e sociologë tregojnë pasojat nga koncentrimi i popullsisë vetëm në disa qytete të caktuara.
“Shumica e vendbanimeve të zonave kodrinore-malore sot janë kthyer në vendbanime të cilat nuk mund të ripërtërijnë vetveten, as në aspekt demografik, as socio ekonomik, as kulturor, as në asnjë aspekt. Për këtë arsye për çdo ditë nga informacionet e ndryshme nga puna në terren që bëjmë, konstatojmë, shohim shkolla që mbyllen, shtëpi të shëndetit të braktisura, krejt si pasojë e migrimeve fshat-qytet. Në njërën anë kemi braktisje të këtyre institucioneve në zona rurale, në anën tjetër në zonat urbane kemi mbingarkim të këtyre institucioneve dhe ky është problemi ndoshta më i madhi që shkaktojnë lëvizjet e brendshme migruese”, thotë demografi Behrami.
“Nëse i shohim migrimet në aspektin ekonomik, personat të cilët migrojnë, janë përfitues, kanë efekte pozitive mirëpo migrimet e brendshme shpesh bien ndesh me personat rezidentë për arsye se, kur disa persona migrojnë nga fshati në qytet, atëherë bëhet konkurrencë edhe për punë, edhe për gjëra të tjera. Pra, edhe në këtë mënyrë banorët rezidentë ndihen paksa të kërcënuar për arsye se bie edhe fuqia punëtore, mirëpo bie edhe çmimi i punëtorëve”, shton sociologu Brajshori.
Podujeva është komuna e braktisur më së shumti nga banorët. 24 fshatrat të cilat kufizohen me Serbinë janë boshatisur pothuajse tërësisht.
Latif Mehmeti është koordinator i Komitetit të Fshatrave dhe i rri gati çdo lëvizjeje që bëjnë banorët e kësaj ane, e që ndonëse nuk i gjykon për zgjedhjen, por as nuk i arsyeton për ikjen.
“Fshati Murgull është vetëm me dy familje duke jetuar, fshati Tërrnavicë pothuajse është i zbrazët, nuk jeton asnjë familje. Në fshatin Brecë jetojnë vetëm dy familje. Në fshatin Reçicë jeton një familje dhe dy fermerë. Në Potok dy familje, në Përpellac asnjë familje. Në Turuçicë te pjesa e Orllanit janë tri- katër familje. Në Bllatë asnjë familje. Në Metergovc dy-tri familje, në Rakinicë një familje. Kështu që pothuajse gati kanë mbetur të zbrazura”, tregon ai.
Mehmeti thotë se është shqetësuese sesi shkollat kanë mbetur pa nxënës.
“Shpërngulja ka marrë një trend të madh, është rrëqethëse. Nuk ka ditë që nuk shpërngulet dikush. Me shku nëpër shkolla, për çdo javë vëren një numër më të vogël. Fshati Murgull i ka komplet shtëpitë qysh i ka pasur pas lufte që i kanë ndërtuar. Shkolla është ndërtuar pas lufte shumë moderne me 4-5 dhoma, i ka me salla me krejt. Shkolla sot është mbyllur, e thatë, nuk ka asnjë nxënës. Dy familje janë, i kanë nga dy-tre nxënës. Ata është dashur t’i dërgojmë në Zhiti, transportin t’ua sigurojë komuna sepse nuk ka kushte me tre-katër nxënës një shkollë të punojë”, thotë Mehmeti.
Por, jo vetëm fshatrat rreth kufirit po braktisen. Rrugës së njëjtë po shkojnë edhe disa të tjera që qytetin s’e kanë larg e as kushtet infrastrukturore nuk u mungojnë.
Raif Xhemajli është nga fshati Kërpimeh. Ai nuk ankohet për infrastrukturën në fshat e as për kushtet ekonomike, por tregon realitetin e migrimit me shembujt e dy djemve të tij që njëri u shpërngul në Prishtinë e tjetri në Fushë-Kosovë.
“Shumica e kanë braktisur. Diku afër 60 për qind veç e kanë braktisur e diku 40 për qind jemi këtu. Përafërsisht jemi diku 15 shtëpi. Të tjerat krejt janë braktisur. Më së shumti kanë shkuar në Fushë Kosovë, në Prishtinë, në Podujevë më pak... Veç po lypin jetë më të mirë, se për si fshat krejt i kemi, rrymën e kemi. Kurrë s’ndalet. Krejt rrugët i kemi të asfaltuara, kanalizimin e kemi, krejt i kemi veç kanë dashur jetë më të mirë, janë shkuar, kanë braktisur edhe nuk duan të kthehen më as s’duan të dëgjojnë”, tregon Xhemajli.
Sipas evidencave të Komunës, në rreth 500 familje në Podujevë jetojnë vetëm të dy prindërit, meqë fëmijët kanë migruar jashtë Komunës ose edhe jashtë shtetit.
Kjo po ndodh dalëngadalë edhe në Kërpimeh.
“Veç unë kam mbetur me të shoqen këtu edhe me një djalë. Shumica janë veç burrë e grua, ndoshta e kanë edhe ndonjë djalë më të vogël”, thotë Xhemajli.
Ka edhe një arsye të veçantë që po i bën banorët t’i braktisin fshatrat.
Mehmeti thotë se në shumë raste, njerëzit lëshohen në qytet edhe për qëllim martese.
“Çështja e shpërnguljes ka shumë arsye. Ka edhe arsye ekonomike, punësimi, shkollimi, edhe pse ka pasur shkolla nëpër fshat, por shkollimi. Por, në disa fshatra edhe çështja e martesës është problem kryesor, si për Murgull, edhe në këto fshatrat në zona kufitare shumë njerëz janë detyruar të martohen me vajza nga Shqipëria, sepse nuk kanë pasur fatin të martohen me vajza të këtushmit. Pse? Sepse nuk duan të shkojnë të jetojnë në fshat, nuk donë të shkojnë të jetojnë me blegtori, me bujqësi”, thotë Mehmeti.
Një arsye e këtillë migrimi është evidentuar edhe në raportin e fundit për vlerësim të popullsisë, të publikuar nga Agjencia e Statistikave. Në dokument theksohet se një numër i konsiderueshëm i popullsisë rezidente në Kosovë ka ndërruar vendbanimin kryesisht nga vendbanimet rurale në ato urbane, edhe për shkak të martesave.
Sociologu Brajshori thotë se institucionet e shteti duhet të aktivizohen. Sipas tij, banorët e fshatrave duhet të inkurajohen të mos e lëshojnë vendbanimin nëpërmjet mbështetjes financiare e teknike për të siguruar fitim aty ku janë lindur e ku kanë jetuar të parët e tyre.
“Shteti domosdo duhet së paku në zonat rurale ku ka tokë të punueshme, ku ka punë, atëherë edhe pse ka filluar së voni pra të subvencionojë tokat, unë mendoj që prapë duhet të bëhet më shumë, për arsye se edhe fermeri, produktin të cilin e prodhon qoftë të subvencionuar, duhet ta ketë tregun e sigurt ku ta shesë. Në qoftë se shteti ndërton fabrika në ndonjë zonë rurale ku të gjitha ato produkte që prodhohen në atë zonë do të mund të shiteshin sigurt aty, besoj që edhe personat nuk do të hezitonin që të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të punonin tokat e tyre dhe në këtë mënyrë do të përfitonte edhe shteti, edhe do të përfitonin vetë migrantët e brendshëm”, u shpreh Brajshori.
E demografi Behrami thotë se ekzistojnë një sërë masash të përdorura nga shtete të tjera që Kosova mund t’i marrë si shembuj për ta zbutur migrimin e brendshëm.
“Ta marrim shembull Spanjën. Çifteve të reja që martohen, që dëshirojnë të jetojnë në fshat, i financon në ndërtimin e shtëpive. Çiftet e reja gratis e kanë ndërtimin e vendbanimit. Tjetër beneficione të tjera në tatime, njerëzit që jetojnë në zona rurale kanë tatime më të ulëta dhe shumë benefite të tjera. Praktikat e huaja do të ishin shumë të mira për aplikim edhe në Kosovë. Gjithashtu kjo do të duhej të përcillej edhe me investime nga institucionet kosovare në drejtim të viseve rurale, sidomos në zhvillim të turizmit rural, por edhe blegtorisë e bletarisë e bujqësisë e të gjitha aktiviteteve të tjera”, deklaroi Behrami.
Fshatra të shumta ndodhen rrugës së Godenit të Vitisë, aty ku s’ka më njeri e as gjurmë jete.
Banorë, demografë e sociologë apelojnë për veprime urgjente të shtetit, në funksion të mbajtjes gjallë të fshatrave. Sepse braktisja e mëtejme do të lërë pasoja të pakthyeshme, edhe demografike, edhe ekonomike e edhe kulturore.