Sistemi shëndetësor në Kosovë po përballet me një krizë serioze, për shkak të largimit masiv të infermierëve dhe mjekëve. Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025, mbi 270 infermierë e kanë lënë vendin. Sipas Odës së Infermierëve të Kosovës, çdo vit rreth 300 infermierë emigrojnë kryesisht drejt vendeve të rajonit dhe Evropës Perëndimore. Ata bëjnë thirrje tek institucionet që të marrin masa.
Arianita Hoti
Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, 270 infermierë janë larguar nga Kosova për të punuar jashtë vendit, ka konfirmuar për KOHËN, Oda e Infermierëve të Kosovës.
Sipas Odës, mesatarisht, mbi 300 infermierë çdo vit e braktisin sistemin shëndetësor të Kosovës, për të gjetur kushte më të mira pune, paga më të larta dhe siguri profesionale në vendet e rajonit, por kryesisht në Gjermani.
Leonora Bakija nga Oda e Infermierëve të Kosovës ka bërë të ditur se infermierët, që planifikojnë të punojnë jashtë shtetit zakonisht kërkojnë dokumente, si vërtetimi për Kodin Etik dhe licenca në versionin jo të plastifikuar.
“Gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, rreth 270 infermierë janë larguar nga vendi për të punuar jashtë. Infermierët, që planifikojnë të punojnë jashtë shtetit zakonisht kërkojnë dokumente, si vërtetimi për Kodin Etik dhe licenca në versionin jo të plastifikuar. Në vitin 2024, Oda i ka lëshuar 119 vërtetime për Kodin Etik dhe 325 licenca të paplastifikuara, ndërsa vetëm nga janari deri më 10 qershor të vitit 2025, janë lëshuar 43 vërtetime dhe 93 licenca, që korrespondojnë me kërkesat e infermierëve për punësim në shtete të Evropës, kryesisht në Gjermani”, ka deklaruar ajo.
Bakija thekson se ikja e madhe e infermierëve po krijon boshllëqe serioze në institucionet shëndetësore, ku në disa raste ato mbesin pa staf të mjaftueshëm, për t’i mbuluar ndërrimet e rregullta.
“Në disa spitale dhe qendra shëndetësore në Kosovë është raportuar se largimi i infermierëve po ndikon në mungesën e stafit dhe po rrit ngarkesën tek ata që mbeten në vendin e punës. Oda i ka përsëritur thirrjet e saj ndaj institucioneve shtetërore për ndërmarrjen e masave konkrete, që do të ndihmonin në mbajtjen e kuadrove shëndetësore në vend”, ka shtuar ajo.
Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Tevide Imeri, vlerëson se nëse nuk merren masa urgjente, kriza në sistemin shëndetësor do të thellohet ndjeshëm brenda katër vjetëve të ardhshëm
“Besoj se brenda 4 viteve kjo krizë do të jetë e dukshme, dhe institucionet mund të detyrohen të kërkojnë staf nga shtete të tjera – ashtu siç ka deklaruar më herët edhe kjo qeveri – duke përmendur vende si India dhe Bangladeshi”, ka deklaruar Imeri.
Imeri thekson se mesatarisht një infermier në ditë po e lëshon Kosovën, e, sipas saj, edhe te mjekët situata është shqetësuese, pasi që tre mijë mjekë janë larguar në tri vjetët e fundit.
Ekonomisti Bashkim Mustafa, vlerëson se largimi i infermierëve nga vendi po ndodh jo thjesht për shkak të pagave të ulëta, por si pasojë e mungesës së reformave të nevojshme.
“Një nga arsyet kryesore të largimit të infermierëve lidhet me mungesën e reformave të mirëfillta në sistemin shëndetësor dhe trajtimin diskriminues, që ata përjetojnë brenda institucioneve. Në vend të përmirësimit të kushteve të punës, në këtë sektor po vazhdojnë praktikat, që e demotivojnë stafin profesional dhe i shtyjnë ata të kërkojnë mundësi jashtë vendit”, ka deklaruar Mustafa.
Ndërsa, Ambasada Gjermane i ka sqaruar për KOHËN kushtet, që duhet t’i plotësojnë aplikuesit për t’u pajisur me dokumente
“Nëse në njoftim e keni të shkruar "njohje të pjesshme", duhet t'i nënshtroheni masave të kërkuara plotësuese dhe më pas të merrni një certifikatë gjuhësore B2. Vetëm pasi t’i keni plotësuar kërkesat, që i kërkon njohja e plotë dhe ta keni marrë certifikatën gjuhësore, ju lejohet të punoni si infermiere në të gjithë Gjermaninë. Nëse kualifikimi juaj nuk njihet, sepse ndryshon ndjeshëm nga kualifikimi gjerman, do t'ju duhet ta përfundoni një program të plotë arsimor trevjeçar në Gjermani, për të punuar si infermiere e regjistruar”, thuhet nga Ambasada Gjermane.
Sipas të dhënave nga Oda e Infermierëve të Kosovës, gjatë tri vjetëve të fundit vendin e kanë lëshuar rreth 1 mijë infermierë.