Arbëri

IKD: Vendimet e Qeverisë për buxhetin dhe pagat e pensionet – të kundërligjshme dhe elektorale

Qeveria Kurti

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka cilësuar të kundërligjshme dhe elektorale vendimet e Qeverisë në detyrë për projektbuxhetin dhe për rritje të pagave, pensioneve apo shtesave për kategori të caktuara. Sipas IKD-së, zyrtarët që kanë marrë vendimet sot kanë kryer vepër penale, që është e dënueshme nga një deri në tetë vjet burgim.

Qeveria në detyrë sot miratoi projektbuxhetin rreth 4 miliardë euro për vitin 2026 dhe vendosi për rritje të pagës minimale, pensionet bazike dhe shtesat për fëmijët. Vendimi u mor në prag të raundit të dytë të balotazhit në zgjedhjet lokale dhe në kohën kur ka dështuar mandatari i parë për formimin e Qeverisë dhe të gjitha partitë po përgatiten për zgjedhje të reja të parakohshme.

Në një komunikatë për media, IKD-ja ka thënë se vendimet janë marrë nga një përbërje e qeverisë që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjet.

IKD-ja ka thënë nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve apo shtesave, por sipas saj vendimet janë miratuar në kohë zgjedhjes.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konteston dhe kundërshton miratimin e vendimeve nga Qeveria në detyrë. Këto vendime janë miratuar nga një përbërje e qeverisë që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin. Për më tepër, vendimet e nxjerra në pritje të para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe me mundësi të mëdha edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, IKD i konsideron si vendime elektorale. IKD në asnjë rrethanë nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve apo shtesave për kategori të caktuara. Për më tepër, në kohën kur vendi po përballet me një shkallë të lartë inflacioni, çështja e drejtësisë sociale do duhej të merrte një fokus të shtuar institucional. Megjithatë, këto çështje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin dhe jo këto vendime të merren në kontekst elektoral”, thuhet në reagim.

IKD-ja ka theksuar vendimin e Supremes që pati vënë në pah se anëtarët e Qeverisë të cilët janë certifikuar si deputetë tanimë kanë humbur mandatin e tyre si anëtarë të Qeverisë, për shkak të papajtueshmërisë në mbajtjen e njëkohësisht të të dy pozitave, asaj të anëtarit të qeverisë dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Thënë më ndryshe, të gjithë anëtarët e qeverisë, të cilët janë certifikuar si deputet, nuk janë më anëtarë të qeverisë dhe nuk kanë asnjë kompetencë për të marrë asnjë vendim. Për këtë arsye, të njëjtit kanë uzurpuar zyrat e Qeverisë dhe rrjedhimisht të gjitha këto vendime, në mungesë të kompetencës, janë të kundërligjshme”, thuhet në reagim.

IKD-ja ka thënë se projektbuxheti i miratuar sot bie ndesh me Ligjin për Qeverinë.

“Neni 31 i Ligjit për Qeverinë përcakton kufizimet e Qeverisë në detyrë. Në kuadër të këtyre kufizimeve është miratimi i Projektligjeve. Ky nen, përkrah kufizimeve, përmban edhe dy (2) të drejta përjashtimore, njëra prej të cilave është miratimi i buxhetit. Por se, sipas formulimit të këtij neni, këto dy (2) të drejta i takojnë vetëm Qeverisë në dorëheqje dhe jo një Qeverie të cilës i ka përfunduar mandati. Neni 30.2. përcakton në mënyrë precize se çfarë nënkupton një qeveri në dorëheqje. Në anën tjetër, paragrafi 5 i nenit 31 të këtij Ligji thekson se “Kufizimet e përcaktuara me këtë nen vlejnë edhe për Qeverinë në situatën siç përcaktohet në nenin 28 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të këtij ligji, deri në zgjedhjen e qeverisë së re”, duke referuar në Qeverinë të cilës i ka përfunduar mandati. Gjuha e këtij neni thekson se në raport me Qeverinë të cilës i ka përfunduar mandati aplikohen vetëm kufizimet sipas këtij neni, dhe jo edhe të drejtat e tjera përjashtimore”, thuhet në reagim.

IKD-ja po ashtu ka thënë se qeveria në detyrë nuk është e legjislaturës aktuale, por e së kaluarës. “Përderisa ky Kuvend apo kjo legjislaturë nuk e ka zgjedhur këtë Qeveri, ajo nuk ka mundësi që t’i ndajë të njëjtës buxhet. Për këtë arsye, Kuvendi duhet të refuzojë ta shqyrtojë Buxhetin e propozuar nga Qeveria”, ka thënë IKD-ja.

Sipas IKD-së, shkelje është edhe ndryshimi i pagesës për përvojën e punës, që parashihet të rritet nga 0.25 për qind në vit në 0.5 për qind.

“Fillimisht, duhet theksuar se në të kaluarën, pagesa për përvojën e punës ka qenë 0.5%. Ligji për Pagat në Sektorin Publik, miratuar nga kjo Qeveri, e kishte ulur në 0.25%. Për këtë, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje, duke urdhëruar Kuvendin që, deri më 1 gusht 2024, të bëjë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Kjo Qeveri dhe Kuvendi i kaluar shkelën afatin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, duke mos respektuar aktgjykimin e saj dhe duke mos bërë ndryshimin e Ligjit. Për shkak të kësaj, tanimë Gjykatat janë vërshuar me lëndë nga qytetarët të cilët kërkojnë realizimin e të drejtës së tyre. Ndërsa, në takimin e së premtes, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi që këtë ta përfshijë në buxhet, përkundër faktit se kjo duhet të bëhet me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit”, thuhet në reagim.

Edhe paga e 13-të sipas IKD-së është shkelje e njëjtë. Sipas saj, ajo nuk mund të rregullohet me vendim qeveritar, por duhen ndryshime në ligje.

IKD-ja ka komentuar edhe një deklaratë të Hekuran Muratit, që si ministër në detyrë, u shpreh se vendimi për rritjen e pagës minimale merret në mungesë të propozimit nga Këshilli Ekonomik dhe Social. IKD-ja ka theksuar se është Ministria që nuk e ka funksionuar vetë këtë këshill.

Vendimet për rritje të pensioneve dhe shtesave për fëmijë, IKD-ja i ka cilësuar “haptazi elektorale”.

“Vet Kryeministri në detyrë Kurti thoshte se nuk rrit pagat në prag të fushatave, sikurse qeveritë paraprake”, ka kujtuar IKD-ja.

IKD-ja në fund ka theksuar se këto veprime përbëjnë vepër penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, vepër që dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. Kjo organizatë ka bërë thirrje që Prokuroria Speciale ta adresojë çështjen.

“Ndërmarrja e këtyre veprimeve, në mungesë të kompetencës ligjore, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, përbën haptazi vepër penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Neni 414 i KPRK thekson se “Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”. Në këtë rrethanë, duke vepruar si person zyrtar, që shfrytëzon detyrën e tij dhe, në kuptim të standardit të vendosur nga Gjykata Supreme, duke tejkaluar kompetencat e tij, përfitimet elektorale të këtyre vendimeve bëjnë pjesë në kuadër të “çfarëdo dobie për vete”, duke kompletuar kështu figurën e veprës penale sipas këtij neni. Për këtë arsye, përgjegjësia penale duhet të adresohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi.