Arbëri

IKD: Qeveria nuk po tregon llogaridhënie për skandalet qeveritare

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të mërkurën ka publikuar raportin me titull “Llogaridhënia përballë Skandaleve Qeveritare”, i cili shqyrton mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka menaxhuar rastet e dyshimeve për korrupsion dhe keqpërdorime të zyrtarëve publikë.

Raporti nënvizon se një qeverisje e mirë anti-korrupsion kërkon veprime proaktive për parandalimin e korrupsionit, raportimin e rasteve, bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë dhe dhënien e përgjegjësisë publike, duke respektuar procesin e hetimeve.

Sidoqoftë, sipas IKD-së, qeveria aktuale ka demonstruar një qasje të kundërt.

“Në vend që të promovojë transparencën dhe të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë, shpesh ka mbrojtur personat e dyshuar dhe ka vënë në pikëpyetje punën e organeve hetimore. Kjo ka çuar në mungesë llogaridhënie publike dhe cenim të parimeve të qeverisjes së mirë”, thuhet në raportin e IKD-së.

Raporti përmbledh një seri rastesh të raportuara në media që kanë ngjallur interes të madh publik, duke përfshirë sektorët e energjisë, prokurimit publik, rezervave shtetërore, diplomacisë, administratës publike, kulturës, bujqësisë dhe infrastrukturës.

Disa nga rastet kryesore që trajtohen janë dyshimet për keqpërdorime në tregun e energjisë dhe ndërhyrje politike në KEK, keqpërdorime të kontratave një-burimore, dyshimet për përdorim jo të ligjshëm të rezervave shtetërore, punësime politike në ndërmarrjet publike, ndarje kontestuese të subvencioneve dhe fondeve dhe dyshime për konflikt interesi në projekte infrastrukturore të mëdha.

IKD-ja thekson se raporti është përgatitur duke u bazuar në informacione të publikuara nga media, duke respektuar gjithmonë parimin e prezumimit të pafajësisë.