Arbëri

IKD: Qeveria dhe Kuvendi shkelën Kushtetutën në 26 raste

“Morën vendime që përmbajnë shkelje kushtetuese në shkarkime, vendime me cenim të pavarësisë së organeve të themeluara me Kushtetutë dhe me ligj. Që të dy këto institucione (Qeveria dhe Kuvendi) morën vendime ku cenuan edhe përgjegjësitë komunale në arsim dhe sa i përket së drejtës në shfrytëzim të të hyrave vetjake nga vitet paraprake. Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i fundit thotë se Kuvendi miratoi ligj ku ndërhynte në mënyrë arbitrare në parimet dhe vlerat e ekonomisë së lirë”, ka thënë Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD

Katërmbëdhjetë vjet që nga themelimi, Gjykata Kushtetuese e ka sfiduar kushtetutshmërinë e ligjeve, amendamenteve dhe akteve të tjera nënligjore në 110 raste, në 26 prej të cilave është evidentuar se Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur Kushtetutën, është thënë të enjten gjatë prezantimit të raportit “Kushtetutshmëria në Qeverisje”, në kuadër të javës kundër të korrupsionit.

Në organizimin për prezantimin e këtyre të dhënave, Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se raporti flet për shkeljet e konstatuara që nga legjislatura e tretë e Kuvendit.

“Morën vendime që përmbajnë shkelje kushtetuese në shkarkime, vendime me cenim të pavarësisë së organeve të themeluara me Kushtetutë dhe me ligj. Që të dy këto institucione (Qeveria dhe Kuvendi) morën vendime ku cenuan edhe përgjegjësitë komunale në arsim dhe sa i përket së drejtës në shfrytëzim të të hyrave vetjake nga vitet paraprake. Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i fundit thotë se Kuvendi miratoi ligj ku ndërhynte në mënyrë arbitrare në parimet dhe vlerat e ekonomisë së lirë”, ka thënë Jakaj.

Në tryezën e organizuar nga IKD-ja të ftuara kanë qenë përfaqësues të të gjitha partive politike, porse ata të subjektit më të madh në pushtet nuk kanë qenë të pranishëm. E për këtë, kritika janë adresuar nga organizatorët e tryezës.

Betim Musliu, zëvendësdrejtor në IKD, ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) gjatë kohës sa kanë qenë në opozitë kanë marrë pjesë pa përtesë në çdo aktivitet.

“Përfaqësuesit e LVV-së kanë vrapuar pas çdo aktiviteti, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të shoqërisë civile që ta thonë fjalën e tyre. Sot që janë në pushtet nuk po janë në gjendje që në këso aktivitetesh të jenë të gatshëm për t’u ballafaquar me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet”, ka thënë ai.

E deputetë të opozitës kanë shprehur qëndrimin se për dallim nga e kaluara, Qeveria aktuale nuk tregon reflektim dhe se ka për qëllim kapjen e shtetit. Ata kanë theksuar se në të shkuarën atakoheshin nene të caktuara të ligjeve, teksa tani rrëzohen nga Kushtetuesja ligjet në tërësi.

Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike (LDK), ka thënë se përpjekjet e Qeverisë për të abuzuar përbëjnë shqetësim.

“Në këtë Qeveri nuk ka reflektim fare, së paku politik për të larguar njerëz që identifikojnë si shkelës të Kushtetutës, madje shndërrohen më pas në sulmues të paskrupullte të organit më të lartë që vlerëson kushtetutshmërinë në Kosovë. Ka pasur raste kur edhe mua nuk më kanë pëlqyer vendimet e Kushtetutës, por asnjëherë nuk e kam vënë në pikëpyetje ose në dilemë rëndësinë që ato e kanë”, ka thënë ai.

E Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka përmendur rastet kur ligjet marrin miratim edhe pa diskutim publik.

“Shumica parlamentare, duke mos pasur nevojën për votën dhe kuorumin si në komisione dhe në seanca të Kuvendit, nuk kanë përfillur asnjë vërejtje, asnjë kërkesë dhe asnjë rekomandim në lidhje me projektligjet, ligjet dhe afatet e rregullta kohore. Shumica e projektligjeve kanë kaluar procedurat e shpejta dhe brenda ditës është thirrur komisioni, ka kaluar dy leximet dhe është përcjellë për seancën. Pra, projektligjet bëhen ligj pa shqyrtim e analizim mes deputetëve dhe në shumicën e rasteve pa diskutim publik”, ka thënë Lekaj.

Përparim Gruda, koordinator për drejtësi në kabinetin e qeverisjes së mirë të Partisë Demokratike (PDK), e ka kualifikuar Qeverinë aktuale si populiste dhe ka thënë se për interesa personale ajo ndryshon qëndrimin edhe për Gjykatën Kushtetuese.

“Sulmojnë gjithë ditën kur i vyejnë për interesa politike. Thotë Zajednicën e vendos Gjykata Kushtetuese. Ju i dolët Gjykatës përballë më 2015 me protesta, thatë se nuk ka lidhje që ka thanë gjykata, vullneti I popullit është mbi atë që thotë gjykata, thoshin dhe tash po e përdorin për mbrojtje”, ka thënë Gruda.

Në kuadër të javës kundër korrupsionit, organizata Iniciativa për Progres (INPO) ka prezantuar raportin e monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Në këtë raport është theksuar se ndryshimi i rregullores së OSHP-së ka bërë regres në punën e përgjithshme të këtij institucioni. Nga 473 ankesat në OSHP, të cilat kanë qenë fokus i monitorimit, vetëm 32 janë zgjidhur brenda afatit ligjor.

Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në INPO, ka thënë se ndryshimi i rregullores së OSHP-së ka bërë regres në punën e përgjithshme të OSHP-së.

“Iniciativa për Progres ka monitoruar Organin Shqyrtues të Prokurimit për nëntë muaj në tërësi. Gjatë monitorimit të prokurimit, stafi i kësaj organizate është përballur me pamundësi për të monitoruar në mënyrë të duhur aktivitetet e prokurimit, duke pasur parasysh që shumë lëndë që ne i kishim në monitorim ishin të bllokuara në OSHP dhe vendimmarrja në OSHP po zgjaste shumë”, ka thënë Nrecaj.

Ajo ka bërë të ditur se është hasur në një ndryshim të rregullores së punës së OSHP-së, pa u ditur as shkaku dhe as kush e kur e ka ndryshuar atë.

“Gjithashtu, gjatë monitorimit ne kemi vërejtur në një rast që OSHP-ja gjatë vitit ka ndryshuar rregullat e lojës, rregulloren e punës ku ka ndryshuar vetëm rregullat e themelimin e paneleve shqyrtuese, ku në të kaluarën me rregulloren e punës së vitit 2020 panelet shqyrtuese individuale trajtonin vetëm lëndët e ankesave deri në vlerën 30 mijë euro, ndërsa nga gushti e deri më tani kjo vlerë është rritur për 900 për qind, ku në panele individuale ishte vendosur që lëndët e ankesave deri në vlerën 300 mijë euro të bëheshin”, ka thënë ajo.

E Arbër Kabashi, monitorues në INPO, ka thënë se ndryshimi i rregullores së OSHP-së është bërë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik (LPP) dhe në mungesë të plotë të transparencës dhe përfshirjes së palëve të interesuara.

Sipas tij, para amendamentimit të rregullores, për të cilën ka thënë se është bërë me qëllim të rritjes së efikasitetit, INPO-ja ka gjetur që paraprakisht koha mesatare e shprehur në ditë ka qenë 53 ditë për një ankesë, kurse pas amendamentimit, mesatarja është rritur në 63 ditë.