Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas vendimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, e cila ka refuzuar aplikimin e këtij institucioni për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. IKD-ja e cilëson këtë vendim si të paarsyetuar, të paqartë dhe në kundërshtim me standardet ligjore të transparencës dhe llogaridhënies.
Sipas IKD-së, vendimi nga KQZ-ja nuk përmban asnjë arsyetim të detajuar ligjor dhe nuk ofron informacione mbi të drejtën për përdorimin e mjeteve juridike për kundërshtim. Sipas tyre, kjo qasje cenon parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtën për mbrojtje juridike, duke hapur rrugë për arbitraritet dhe politizim të procesit vendimmarrës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIKD-ja thekson se interpretimi se organizata “nuk i plotëson kriteret” është i pabazuar dhe selektiv, duke devijuar nga qëllimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas tyre, mandati i IKD-së – i fokusuar në sundimin e ligjit, integritetin institucional, monitorimin e institucioneve publike dhe transparencën – e bën organizatën plotësisht të kualifikuar për vëzhgimin e proceseve zgjedhore.
Instituti rikujton se standardet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës njohin rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbikëqyrjen e zgjedhjeve, pavarësisht nëse në statut përmenden në mënyrë eksplicite termat “zgjedhje” apo “të drejtat e njeriut”.
IKD-ja gjithashtu kritikon faktin që Zyra e KQZ-së ka marrë vendim të drejtpërdrejtë për refuzim, ndonëse Rregullorja Zgjedhore Nr. 08/2024 përcakton qartë se kompetencën për miratim ose refuzim e ka vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa Zyra mund të japë vetëm rekomandim.
Në përfundim, IKD-ja njofton se do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për të kundërshtuar këtë vendim, duke mbrojtur jo vetëm të drejtën e saj për të monitoruar zgjedhjet, por edhe rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.
Instituti i bën thirrje KQZ-së të rishqyrtojë praktikën e zbatuar dhe të rrisë profesionalizmin në vendimmarrje, duke shmangur veprimet që, sipas tyre, bien ndesh me ligjin dhe praktikën e mëhershme të institucionit.