Arbëri

Identifikohen mbetjet mortore të një personi nga Gjakova që ishte zhdukur gjatë luftës

Germime

Foto ilustruese

Koordinatori i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar për KOHËN se është identifikuar një viktimë nga Gjakova, mbetjet mortore të së cilit ishin gjetur vite më parë në bregun e lumit Drini i Bardhë, në afërsi të Krushës së Vogël, por që është identifikuar se është Rasim Koci, qytetar nga Gjakova i cili ishte i regjistruar në listën e të pagjeturve.

“Mbetjet mortore janë gjetur vite më parë në bregun e lumit Drini i Bardhë, në afërsi të Krushës së Vogël. Identifikimi i Rasim Kocit, viktimë e luftës që ishte në Listën e Personave të Zhdukur, është bërë i mundur së fundmi,përmes analizës shkencore të ADN-së, si rezultat i 'procesit të rishqyrtimit të hollësishëm të mbetjeve mortore që gjenden në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)'”, ka njoftuar Gara.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe familja e tij përmes një postimi në Facebook në të cilin thuhet se Rasim Koci ishte arrestuar në prill të vitit 1999 nga forcat serbe, më pas ishte vrarë dhe trupi i tij ishte zhdukur. Mbetjet mortore të tij, do t’i dorëzohen familjes më 30 janar.

“Pas 26 vitesh e 10 muajsh pritjeje, është gjetur trupi i pajetë i Rasim Mehmet Koci (i lindur më 1957), i cili ishte zhdukur më 1 prill 1999 në afërsi të fshatit Osek Hylë, gjatë luftës në Kosovë. Sipas familjarëve, Rasim Mehmet Koci ishte arrestuar nga forcat serbe, më pas ishte vrarë dhe trupi i tij ishte zhdukur. Pas rreth 27 vitesh ankthi dhe pasigurie, mbetjet mortore të tij janë identifikuar dhe do t’i dorëzohen familjes të premten, më 30 janar 2026”, thuhet në njoftimin e familjes.

Homazhet për Rasim Kocin, siç njofton familja do të mbahen më 31 janar në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të bëhet po atë ditë nga ora 13:30 në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat të kësaj komune.