Arbëri

Ibishi: Angazhimi i FSK-së në veri s’duhet politizuar

Angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në operacionin e kërkim-shpëtimit në Liqenin e Ujmanit është përshëndetur nga njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, i cili vlerëson se kjo përfshirje nuk duhet të marrë ngjyrime politike.

Gjatë së martës, FSK-ja u angazhua për gjetjen e trupit të një 33-vjeçari i cili dy ditë më herë kërceu nga ura në Liqenin e Ujmanit dhe nuk doli më. Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, u shpreh se qeveria në detyrë po e shfrytëzon rastin për poena politikë. 

“Është tjetër situatë tash, ndryshe nga atëherë kur kanë qenë strukturat ilegale në veri. Tash është situatë më e qetë. Nuk do të ketë problem as nga aspekti i pritjes nga popullata serbe, dhe as nga aspekti de-jure, pasi është lejuar nga KFOR-i”, ka thënë Ibishi, duke shtuar se ky relaksim mund të krijojë kushte më të mira për bashkëjetesë dhe për operacione të tjera të FSK-së në veri.

Ai theksoi se për herë të parë që nga viti 2013, FSK-ja është angazhuar në veri dhe kjo, sipas tij, nuk duhet t’i atribuohet ndonjë subjekti politik.

“Nuk duhet bërë shumë bujë për këtë. Nuk duhet t’i japim ngjyrosje politike, por duhet t’i jemi mirënjohës ekipeve të FSK-së dhe t’i shprehim ngushëllime familjes që humbi të dashurin e tyre. Tendenca për t’i dhënë qasje tjetër, nuk është e mirë”, deklaroi Ibishi.

Pasi kërkimet dyditore nga Policia dhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit nuk dhanë rezultat për gjetjen e trupit të mërgimtarit, të martën u autorizua përfshirja e FSK-së nga KFOR-i. Brenda pak orësh në terren, ekipet e saj arritën të gjejnë trupin e pajetë të viktimës.

Ibishi shtoi se FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme për t’u angazhuar edhe në raste më komplekse, përfshirë edhe misione ushtarake nëse situata në veri acarohen në të ardhmen.

E, ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka thënë se operacioni i FSK-së për kërkim-shpëtimin në Liqenin e Ujmanit është politizuar dhe ka ndikuar keq te trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Është politizuar pa kurrfarë nevoje dhe që ndikon negativisht në kuptimin familjar dhe është ngjarje tronditëse, por edhe te vet FSK-ja. 100% të rasteve ndodhin me fatalitet dhe merrni me mend në çfarë gjendje fizike e psikike janë ata që merren me kufoma”, ka thënë ai.