Stacioni i autobusëve në qendër të qytetit të Ferizajt prej kohësh po përballet me hapësirë të kufizuar. Kjo ka nxitur reagimin e kompanive të udhëtarëve derisa autobusët e tyre duhet të presin në radhë për të gjetur vend-parking.
Komuna në vitin e kaluar ka nisur ndërtimin e një stacioni të ri, por për shkak të pandemisë punimet kanë ngecur.
Kompanitë transportuese të udhëtarëve në Ferizaj, prej kohësh po kërkojnë nga Komuna finalizimin e stacionit të ri të autobusëve.
Arsyeja e kësaj kërkese është se hapësira e vogël në qendër të qytetit po shkakton telashe dhe vështirësi në qarkullim.
Fatmir Hoxha, përfaqësues i një kompanie të udhëtarëve, ka thënë se shpeshherë duhet të presin në radhë për të gjetur parking për autobusët e tyre.
“Nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë autobusët në Ferizaj, andaj është e nevojshme që ta kemi një stacion më të madh se sa stacioni që është tani, mirëpo këto janë procedura që mund t’i zgjidhë komuna. Ka fjalë që është duke u ndërtuar një stacion tjetër, por nuk e dimë se kur kryhet”.
Hapësira e vogël po shkakton telashe edhe për menaxhmentin e stacionit.
“Në stacionin e ri, presim të licencohemi për kategorinë A të stacioneve pasi që jemi qyteti i tretë më i madhi në Kosovë, dhe deri tash vetëm ne nuk kemi arritur për shkak të hapësirës të kalojmë në kategorinë A. Atje është më mirë edhe për kompanitë private, por edhe për stacionin e autobusëve”, ka thënë Albulenë Çalaj, drejtoreshë e Stacionit të Autobusëve në Ferizaj.
Rreth kësaj çështjeje, gjatë javës është diskutuar gjatë në një debat publik me qytetarë, derisa parcela aktuale e stacionit, sipas Planit Zhvillimor Komunal, është e destinuar për hapësirë gjelbëruese.
“Stacioni i autobusëve të largohet nga ai vend dhe aty të hapet tregu ditor, ku ju e cekët se do të hapet një park. Unë kam mendim që aty të hapet tregu ditor për të gjithë konsumet e nevojshme”, ka thënë Fehmi Ademi, banor i Ferizajt.
“Do të mundohemi që brenda kësaj kohe do ta bëjmë zhvendosjen e stacionit të autobusëve, normalisht se na duhen edhe disa përpjekje për t’u bërë aty. E dimë se në këtë fazë nuk do të jetë krejtësisht projekti i finalizuar, i zhvendosjes së stacionit të autobusëve, dëshirojmë që ta shkarkojmë komunikacionin dhe t’i shikojmë mundësitë që pikërisht në vendin aktual ta ndërtojmë një park”, ka deklaruar kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Sipas kryetarit Aliu, ky projekt do të finalizohet deri në fund të këtij viti ashtu siç kishte premtuar edhe gjatë fushatës zgjedhore.