Arbëri

I kërkohet Kushtetueses që para seancës konstituive të vendosë për ankesën e Listës Serbe

Ende nuk ka marrë epilog rasti në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Përfaqësues të partisë që ka fituar zgjedhjet, por edhe monitorues të punës së Kuvendit, kanë bërë thirrje që gjykata të marrë vendim, përpara organizimit të seancës konstituive të legjislaturës së re.

Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka dhënë verdiktin për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e nëntë, ndonëse kjo legjislaturë është shpërndarë, janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme dhe pasi të certifikohet rezultati pritet të thirret edhe seanca konstituive e përbërjes së re të Kuvendit.

Lista Serbe e ka dërguar rastin në gjykatë. Ajo ka insistuar se zgjedhja e Nenad Rashiqit është antikushtetuese dhe se nënkryetar i Kuvendit mund të bëhet vetëm një deputet i saj, meqë është subjekti më i madh nga radhët e komunitetit që përfaqëson.

Në Vetëvendosje thanë se thirrja e seancës konstituive nuk do të mbetet peng i vendimit të Kushtetueses.

“Është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese sa më shpejt të dalë me një vendim gjyqësor sa i përket rastit në fjalë, përndryshe ne vazhdojmë tutje ashtu siç i kemi rregullat dhe procedurat. Konsideroj se normalisht do të ishte në favorin tonë të kishim një sqarim sa i përket çështjes që është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, por kjo nuk varet prej nesh”, i ka thënë Kosovapressit, Artan Abrashi, i cili është deputet i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik që ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit.

Në Gjykatë nuk treguan se kur do të nxirret verdikti.

“Kjo lëndë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së gjykatës”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

E, hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, vlerëson se vendimi i Kuvendit për ta zgjedhur Rashiqin nënkryetar ishte jokushtetues. Ai ka shprehur nevojën që gjykata ta nxjerrë vendimin, para seancës konstituive.

“Ne presim dhe besojmë se do të ketë një aktgjykim së shpejti, në mënyrë që të qartësohet dhe të mos vendoset Kuvendi dhe deputetët në situata ku ata mund të bëjnë shkelje kushtetuese. Pra, Gjykata Kushtetuese do të duhej që sa më parë të marrë vendimin për këtë çështje, në mënyrë që të skicohet situata dhe të mos ketë probleme ku mund të bëhet pengesë për një nënkryetar që të mos konstituohet Kuvendi dhe të mos i hapet rruga formimit të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Jakaj.

Por, Kushtetuesja e ka saktësuar në një aktgjykim të mëparshëm se deputetët janë të lirë të vendosin kë ta votojnë për nënkryetar Kuvendi nga radhët e komunitetit serb, e edhe se asnjë subjekt politik nuk mund të kthehet në bllokues të konstituimit të legjislaturës.